Politike

Hetimet për ‘Partizanin’, Argita Malltezi: Sali Berisha kurrë s’e ka shkelur ligjin. Ka 30 vjet që bën vetting të pasurisë

Gazeta Si – Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, theksoi se babai i saj, i marrë i pandehur nga SPAK për aferën “Partizani”, nuk e ka shkelur asnjëherë ligjin.

Në një deklaratë për shtyp, së bashku me avokatin Genc Gjokutaj, ajo tha se kjo është e vërtetuar me prova dhe fakte.

Sipas saj, Sali Berisha nuk ka favorizuar Jamarbër Malltezin për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

“Aktakuza është dekoratë për Sali Berishën, pasi ka bërë Vettingun 30 vjeçar të pasurisë së tij dhe familjarëve të tij dhe nga ky Vetting rezulton se Berisha nuk ka shkelur ligjin dhe nuk ka pasur kurrë përfitim të paligjshëm, – tha ajo. – Nëse do të kishte pasur, do të ishte në gjyq për këto shkelje apo përfitime dhe jo për tokën e gjyshes së Jamarbër Malltezit”.

Sipas saj, “kjo aktakuzë tregon falsifikimet që janë bërë nga ato që kanë qenë shtyllat kryesore të hetimit. Në radhë të parë në lidhje me pronën nuk kanë mundur të shtyhen në mashtrimin që çoi në arrestin e Berishës dhe Malltezit se gjoja ka qenë e shpronësuar nga Italia. Ne kemi vënë në dispozicion dokumentet  që provonin kthimin e pronës dhe më pas kemi bërë publike dokumentet që lidhen me fletoren zyrtare”, tha ndër të tjera Argita Malltezi.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar ndodhet në izolim në masën e arrestit në shtëpi, të mërkurën do të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme, SPAK, për të firmosur mbylljen zyrtare të hetimeve lidhur me procedurën e ndjekur për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë