Menaxhim

Monitorim të listëpagesave dhe kontrolle ‘blitz’. Strategjia e qeverisë për të ndaluar informalitetin në punë

Nga Gazeta 'SI' - Informaliteti është një nga sfidat që qeveria ka vendosur të luftojë në 3 vitet e ardhshme, sipas draftit të Strategjisë 2024-2027.

Administrata Tatimore në bashkëpunim me Institutin e Sigurimeve Shoqërore do të monitorojnë dhe analizojnë të gjitha grupet e pagamarrësve, nga ata që deklarojnë një pagë minimale tek individët që kanë detyrim të plotësojnë Deklaratën Vjetore të të Ardhurave, DIVA.

Nën monitorim do të jenë edhe të punësuarit me turne, orët e punës, ditët e punës në javë dhe deklarimi i saktë i profesionit të punonjësit nga ana e biznesit.

Institucionet do të kontrollojnë të gjitha listëpagesat sipas databazës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, mbi të cilat do të ndërtohen “Modulet e Riskut”.  Po ashtu do të ketë edhe kontrolle “blitz” nëpër sektorët ku ka dyshime për nën-deklarim pagash.

 “Zhvillimi i një fushate të gjerë ndërgjegjësimi, duke garantuar konfidencialitetin e të dhënave të individit, dhe rritjen  e ndërgjegjësimit se raportimi i punës së pa deklaruar dhe nëndeklarimet e pagës, janë një përfitim jo vetëm për shtetin por mbi të gjitha për individin”, thuhet në dokument.

Qeveria parashikon që me goditjen e informalitetit, të ardhurat nga tatimi mbi pagën do të rriten deri në rreth 5 mld lekë në 4 vite.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë