Rend dhe Ligj

Hetimet për policët-hajdutë të gjobave / Merrnin paratë nga drejtuesit dhe njoftonin shefin, por nuk i kalonin në sistem

Gazeta Si - Denoncimi i një shtetasi nga Kosova në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, u bë shkak për nisjen e hetimeve që çuan në 22 masa sigurie ndaj punonjësve të Policisë Rrugore në Kukës dhe Lezhë.

Pas verifikimit të rastit, AMP vendosi të bëjë inspektime në terren, punë kjo që më pas u finalizua me arrestime dhe ndalime.

Nga rezultatet e inspektimit, u zbulua se punonjësit, pasi konstatonin shkeljet tek makinat me targa të huaja, merrnin paratë nga drejtuesit e këtyre automjeteve dhe njoftonin edhe shefin, por në fakt nuk kryenin arkëtimet dhe nuk bënin pasqyrimet në sistemin elektronik të gjobave.

Sipas të dhënave, llogaritet rreth 160 masa administrative, ku varionin shuma të ndryshme që dyshohet se janë përvetësuar nga punonjësit e policisë.

Sipas burimeve, gjobat varionin nga 20 deri në 50 mijë lekë të vjetra dhe u vendoseshin kryesisht makinave me targa të huaja.

Përmes kësaj skeme vjedhjeje, hetuesit dyshojnë se efektivët kanë përvetësuar rreth 2.2 milionë lekë nga drejtuesit e makinave.

Një prej efektivëve kryesor, i përfshirë në skemë ishte Gramoz Dafku, i cili në atë kohë ishte shef i seksionit të qarkullimit për Rrugën e Kombit.

Vjedhja e gjobave dyshohet se ka ndodhur gjatë vitit 2023 dhe hetimet kanë zgjatur për rreth 9 muaj, teksa janë sekuestruar dhe disa prova materiale.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njoftoi të enjten se ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Kukësit, duke caktuar masa sigurie për 22 punonjës policie, të dyshuar për “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “Shpërdorim detyre”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë