Analize

Pse ra euro në fund të sezonit veror 2024?

Nga Gazeta 'SI' - Vlerësimi i Lekut në rritje të vlerës në raport me Euron, Dollarin amerikan, Paundin Britanik në tregun valuator duhet të kuptohet nga të gjithë konsumatorët dhe bizneset, se Leku mund të blejë një sasi më të madhe mallrash dhe shërbimesh të shprehura në  monedhat sa më lart.

Në fakt, vlera e importeve është rritur me 3.1 % për 8-mujorin 2024 dhe ky është treguesi se leku i fortë ka blerë shumë pak në raport me forcimin e tij mallra për konsum, pasi fuqia blerëse e konsumatorit fundor (individ, biznes, qeveri) është e ulët.   

Arsyeja kryesore është tek pse dhe si u rrit vlera e lekut, ku nëse nisemi nga faktorët më poshtë nuk e provojnë se ka ardhur pikërisht nga ndikimi i tyre:

Së pari, ndikimi i Lekut të fortë duhet të ndikohej nga dinamika e ofertës dhe kërkesës për Lekun dhe monedhat e tjera. Nëse do të kishim një kërkesë në rritje për Lekun në krahasim me ofertën e tij, vlera e tij do të rritej. Në fakt kërkesa për Lek në vend nuk ka ndryshime dhe oferta nuk ka ndryshuar nga ana tjetër.

Së dyti, ndikimi nga bilanci tregtar dhe suficiti i llogarisë korrente (eksportet i kalojnë importet) do të ndikonte mbiçmimin e Lekut. Sipas statistikave zyrtare për 8-mujorin 2024, importet janë në vlerën gjithsej 594.6 miliard lekë dhe eksportet janë në vlerën gjithsej prej 255.1 miliard lekë, me në deficit prej 339.5 miliard lekë. Në 8 mujorin 2023 deficiti import-eksporte ishte 277.3 miliard lekë.

Nisur nga kjo situatë jemi në kahun e kundërt të ndikimit të vlerësimit të Lekut. Arsyeja është se vetëm suficiti tregtar do të krijonte kërkesë më të lartë për Lekun pasi subjektet e huaja duhet ta blejnë atë për të paguar mallrat e eksportuara ose për të investuar në vend.

Po kështu, nëse nga hyrjet e Eurove dhe monedhave të tjera të huaja në tregun shqiptar, nëpërmjet prurjeve nga remitancat dhe vizitorët e huaj, sipas bilancit të pagesave për 6-mujorin e parë 2024 ka një hyrje në total prej 1.95 miliard Euro dhe një dalje nga vizitorët shqiptarë prej 1.2 miliard Euro, pra një sasi e disponueshme në treg për konsum në shumën prej 740 milion Euro.

Për të njëjtën periudhë të 2023 në treg kanë hyrë nga vizitorët e jashtëm 1.55 miliardë Euro dhe kanë dalë nga vizitorët e brendshëm 977 milionë Euro, me një sasi të disponueshme të mbetur në treg prej 575 milionë Euro. Nëse marrim vetëm këtë faktor ndikues në forcimin e Lekut, atëherë llogaritjet tregojnë se në 6m.I 2023 Leku u forcua me 7.35, ndërsa në 6m.I 2024 u forcua me 3%. Kuptohet që nisur nga krahasimi dhe analiza e treguesve nuk është thjesht të hyrat nga vizitorët e jashtëm që ndikojnë në forcimin e lekut, nëpërmjet ndikimit në ekonomi.

Së treti, ndikimi nga diferencat e inflacionit është e lidhur me forcimin e Lekut. Në rastin kur Shqipëria ka norma inflacioni më të ulëta krahasuar me partnerët e saj tregtarë, Leku mund të rritet. Në fakt, sipas të dhënave statistikore, inflacioni në Eurozonë është mesatarisht në 2.6% në muajt Korrik – Gusht 2024[1] dhe duket se krahasuar me normën e inflacionit në vend që është mesatarisht 2.3% në muajt e fundit kjo nuk përbën diferencën e nevojshme për të ndikuar në forcimin e lekut në këto periudha. Por edhe në rast të një diference më të madhe, efekti vjen nga fakti se inflacioni më i ulët ruan fuqinë blerëse të Lekut, duke e bërë atë më tërheqëse për investitorët. Në fakt, investimet për 6-mujorin e parë 2024 arrijnë në 549 milionë Euro[2], që ka nivel prej afër 200 mkilion Euro më pak hyrje të investimeve në vend në krahasim me vitin e kaluar.

Së katërti, ndikimi nga aktivitetet spekulative dhe hyrjet e parave të pista/informale krijojnë një ambjent shumë më të fortë, por që nuk mund të matet me lehtësi për forcimin e Lekut. Spekulimi i monedhës dhe ndjesia/perceptimi i investitorëve duket se po ndikojnë në vlerësimin e Lekut. Individët dhe tregtarët, tashmë po presin një rritje të vlerës së Lekut dhe ata mund ta blejnë atë në pritje të shitjes së saj me një çmim më të lartë, duke çuar në vlerësim të tij. Por nga ana tjetër edhe ankandet e qeverisë për bono thesari, bashkë me vijimësinë e hyrjeve të reja të Euros së grumbulluar ndër vite nga burimet informale po krijojnë ende një ndikim në zhvlerësimin e Euros si dhe monedhave të tjera.

Po kështu, ndikimi nga normat e interesit duket se nuk kanë efekt në 6m.I 2024, pasi mebetn në nivele të krahasueshme si në periudhën e njëjtë të vitit 2023.

Në përmbledhje të faktorëve që duhet të ndikojnë në rënien e Euros dhe forcimin e lekut shihet se arsyet nuk gjenden më së shumti brenda tregut dhe ekonomisë formale, por jashtë saj.

Analizë e eksperti Eduart Gjokutaj, nga ALTAX për Gazetasi.al


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë