Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel, për të marrë pjesë në tryezën e thirrur nga Presidentja e Komisionit Europian. Ursula Von Der Leyen. Kjo e fundit ka thirrur në një drekë pune 6 liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku në fokus të diskutimeve do të jenë “axhendat e reformave dhe rritjes”.
5 vendet, veç Bosnje-Hercegovinës, kanë dorëzuar në Komisionin Evropian axhendat e tyre për reformat të cilat synojnë të ndërmarrin, parakusht për të siguruar pagesat e para nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga BE-ja në maj të këtij viti.
Kjo pritet të jetë edhe çështja kryesore e diskutimeve në këtë tryezë, për të parë ecurinë e përgatitjeve të secilit prej vendeve në mënyrë që komisioni Evropian të miratojë agjendat në muajin tetor, ndërsa pagesat e para të bëhen para fundit të këtij viti.
Përmes Planit të Rritjes, Bashkimi Evropian planifikon të ndajë rreth 6 miliardë euro për vendet e rajonit në periudhën prej vitit 2024 deri në vitin 2027. Prej kësaj shume, dy miliardë do të jenë grante nga BE-ja ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të buta.
Shqipëria pritet të përfitojë nga ky fond afro 1 mld euro, ndërsa Kosova 880 mln euro. Përllogaritja për shumën financiare që do t’i takojë secilit vend do të bëhet në bazë të GDP-së, numrit të banorëve dhe disa kritereve të tjera, por në rast se vendet e rajonit nuk përmbushin reformat pas një apo dy vitesh, atëherë shuma do t’u shpërndahet vendeve tjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.