Nga Gazeta ‘Si’ – Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë reaguar për shkak të vizitës së fundit të presidentes Gordana Siljanovska-Davkova në Bullgari dhe fotografimit me presidentin bullgar Rumen Radev “vetëm me flamuj bullgarë”.
Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka thirrur ambasadorin e Republikës së Bullgarisë.
Siç informojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup, në takim është shprehur shqetësimi për shkak të devijimit nga protokolli i dakorduar për fotografimin e dy presidentëve dhe është kërkuar sqarim shtesë nga pala bullgare.
Për devijimin nga protokolli është ankuar edhe Presidentja, e cila për mediat vendase ka thënë se megjithatë, ka vendosur që të fotografohet dhe të mos shkaktojë skandal.
Lidhur me ngjarjet ka reaguar edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i cili i ka paralajmëruar edhe një notë proteste ndaj Bullgarisë.
“Kur kalohet vija e kuqe, atëherë duhet të reagohet”, tha Mickoski, duke shtuar se “nëse nuk reagohet, atëherë ai përjashtim do të bëhet praktikë”.
Reagime ka pasur edhe nga opozita maqedonase, e cila kritikoi veprimet e presidentes Siljanovska-Davkova dhe ministrit Mucunski.
Pas hapjes së çështjes për flamujt edhe në opinionin bullgar, presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev deklaroi se “vizita nuk ishte as shtetërore, as vizitë pune” dhe për këtë arsye nuk u zbatua protokolli i flamujve.
“Kemi pasur një bisedë shumë të sinqertë dhe konstruktive në një atmosferë miqësore”, tha Radev.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.