Politike

‘Paguhen miliona euro në vit qira për ambiente të padenja’, Rama çel konkursin për zyrat e reja të administratës publike  

Të martën qeveria çeli konkurset për dy projektet e para të Korporatës Shqiptare të Investimeve ku 10 studio të huaja paraqitën përpara jurisë ndërkombëtare projekt-idetë për 4 zhvillime të reja, me qëllim ndërtimin e zyrave dhe krijimin e hapësirave të reja për administratën publike, ku shteti vendos në dispozicion pronat publike dhe më pas fton në konkurs investitorë vendas e të huaj për ndërtimin e projekteve, nga ku shteti do të përfitojë si pronar i truallit njé infrastrukturë të re për institucione publike që ende rrinë në mjedise me qira. Por pse kjo nismë?

“Aktualisht sot për ta bërë të qartë për të gjithë ata që nuk janë të informuar në brendësi lidhur me këtë nisëm, institucionet publike paguajnë disa miliona euro në vit qira, për të ushtruar aktivitetin e tyre në mjedise që janë larg së qeni të denja për ambicien tonë të Shqipërisë 2030, janë larg së qenit të denja për atë çka meritojnë qytetarët të cilët shërbehen nga këto institucione, janë larg së qenit të denja për  kushtet në të cilat në fakt duhet të punojnë shërbëtorët e shtetit.

E përveçse janë miliona e miliona euro që shkojnë çdo vit për qira, janë një sërë institucionesh që vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetin e tyre në godinat të cilat nuk kanë asnjë lloj vlere të asnjë natyre. Jo vetëm që nuk kanë asnjë vlerë arkitektonike, por paraqesin edhe probleme te vazhdueshme mirëmbajtje si rezultat i të qenit godina të vjetra të trashëguara nga periudha komuniste dhe njëkohësisht të përdorura për qëllime të reja që nuk përshtaten fare me ato mjedise”, tha Rama në fillim të takimit .

“Faktikisht sot arkitektet janë thirrur të në ofrojnë idetë dhe projektet e tyre për të na dhënë mundësinë të ndërtojmë një kompleks të madh qeveritar, i cili do të akomodojë një numër të konsiderueshëm institucionesh dhe nga ana tjetër edhe një tjetër godinë publike ku do të akomodohen të tjera institucione që janë sot në nevojë të madhe për të pasur një vend të denjë për të gjitha kërkesat e tyre”, tha ai

Rama sqaroi edhe raportin shtet privat në këtë proces.

“Ajo që do të ndodhë falë agjencisë në fjalë, pra Korporatës Shqiptare të Investimeve është që shteti nuk do të dorëzojë më prona ashtu siç i ka dorëzuar në të shkuarën tek privatët, por do të futet në një rol po aq aktiv si përfaqësues i pronës së vet përmes AIC për të nxjerrë nga shfrytëzimi i pronave publike, të mira publike dhe natyrisht edhe për të nxjerrë përfitime financiare për vetë shtetin që do të shërbejnë për investime të mëtejshme”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë