Politike

Konferenca e kryetarëve/ Bardhi, Spiropalit: Po i shpëtoni mandatin Xhaçkës me procedurë. Peleshi: E zgjidh Venecia (debati i plotë)

Konferenca e kryetarëve kishte në qendër të debatit një çështje që ka tejkaluar debatin politik, mandatin e Olta Xhaçkës.

I pari që ngriti shqetësimin ishte kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi, duke u shprehur se, me dërgimin e çështjes në Komisionin e Venecias, PS po synon t’i shpëtojë mandatin Xhaçkës me procedurë.

“Zonja Kryetare, ju personalisht kishit vendosur të injoronit vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ju jeni kryetarja e dytë që keni vendosur të hidhni në erë Gjykatën Kushtetuese, duke minuar në këtë mënyrë edhe bashkëjetesën me opozitën. Ne i jemi referuar Kushtetutës dhe drejtësisë për çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës. Ju na e keni mohuar këtë të drejtë dhe keni grisur vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Venecia është organ këshillimor dhe ju e dini shumë mirë se ai nuk ka efekt detyrimor. Kjo sjellje e juaj rrëzon gjithë propagandën tuaj se gjasme jeni konstruktiv dhe jeni të hapur. Kjo është propagandë pasi veprimet e juaja po na pamundësojnë detyrën. Nuk ka ndodhur kurrë që Kuvendi të mos zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata ju kërkoi që ta miratonit me shpejtësi pasi nuk ka kohë në dispozicion. Praktika juaj gjasme po pyesim Venecian, synon të shpëtojë mandatin me procedurë. Këtu nuk ka të bëjë me Individin pasi për ne ikën një Xhaçkë dhe vjen një tjetër, këtu ka të bëjë me parimet kushtetuese”, tha Bardhi.

Një replikë për këtë çështje ka pasur dhe nga kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Niko Peleshi, i cili deklaroi se e kanë zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me çështjen Xhaçka.

Ai shtoi se një opinion nga Komisioni i Venecias do t’u vlente të gjithëve.

“Natyrisht që kemi zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke e çuar mandatin në seancë. Kemi përmbushur të gjithë detyrimin; nuk bëhet fjalë vetëm për mandatin e një deputeti, por është i nevojshëm një qartësim për të gjitha rastet që mund të ndodhin në të ardhmen.

Ne besojmë se një opinion nga Komisioni i Venecias do të na vlejë të gjithëve, sidomos në një situatë konflikti mes dy të drejtave: diskrecionit të deputetëve për të shprehur vullnetin e lirë në seancë dhe detyrimit për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.  Kjo qartësi do të na vlejë neve, dhe gjithashtu do t’ju vlejë edhe juve”, tha Peleshi.

Ndërhyri edhe Tabaku: “Ne po diskutojmë për parimin, jo për emrin e znj. Xhaçka. Në vitin 2010, çdo progres-raport thuhej që qeveria e PD s'ka respektuar një vendim të GJK dhe tani po bëhet fjalë për 9 vendime të tjera që nuk i zbaton qeveria dhe këtu vendosim një precedent të rrezikshëm. Nuk po diskutojmë fare nëse ka pasur apo jo konflikt interesi, ne mendojmë që po, juve jo, por lëmë gjykatën të vendosë. Por nëse ne përdorim kartonin për të mbrojtur veten tonë, japim një mesazh të gabuar jashtë kësaj salle.

Në Venecia ne kemi çuar reformën në drejtësi, ka shkuar një anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe janë gjykuar çështje në Venecia. Ne duhet të heqim dorë nga mbrojtja politike.

Po të isha në veten time s'do kisha dashur hiç mburojë politike, le ta vendosë Gjykata Kushtetuese.

Përse nuk e keni çuar më herët në Komision të Venecias? Përse ndodh sot për herë të parë kësaj radhe dhe jo më herët? Nuk duhet cënuar standardi që është vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Nuk ndjejmë kënaqësi që flasim për këtë çështje, as të flasim kundër njërit apo tjetrit, por e kemi në parim këtë çështje. Ne duhet të flasim në parim dhe zbatojmë në parim vendimet e Gjykatës Kushtetuese."

“Po e fusni çështjen e mandatit të Xhaçkës, në një rrugë zvarritje. Nuk mund të ketë opinion mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Opinionet merren para ose gjatë shqyrtimit nuk mund të kërkohet opinion pasi Gjykata është shprehur. Ju keni zhbërë Gjykatën Kushtetuese”, tha Ina Zhupa.

“Kemi vepruar në përputhje nenin 73 të Kushtetutës”, tha Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë