Arsim

Nga shpallja ‘program prioritar’, tek ulja e kohës së stazhit / Ministria e Arsimit s’plotëson asnjë kërkesë të studentëve të mjekësisë

Nga Gazeta Si- Asnjë nga kërkesat që studentët e mjekësisë kërkojnë të shtojnë në projektligjin e ndryshuar për trajtimin e veçantë të tyre nuk plotësohet nga Ministria e Arsimit.

Studentët, në seancën dëgjimore që kishin javën e kaluar në Komisionin e Edukimit kërkuan që projektligjit të ndryshuar për trajtimin e veçantë të studentëve të mjekësisë tu shtohen kërkesat e tyre të cilat ishin shpallja e mjekësisë si program prioritar, ulja e stazhit nga 6 muaj në 3 muaj dhe pagesat për specializimet.

Këtyre kërkesave u dha përgjigje ditën e sotme në Komision zv/ministrja e Arsimit dhe Sportit Ana Kapaj e cila shpjegoi pse asnjëra nga kërkesat e studentëve nuk mund të plotësohet.

“Që një degë të bëhet pjesë e programit prioritar varet nga nevoja që ka tregu dhe nga kërkesa e studentëve për të qenë pjesë e këtij programi”, tha Kapaj e cila sqaron se për degët që janë shpallur prioritare, ka rënie të kërkesave ndërsa mjekësia këtë vit ka pasur një total prej 2083 kërkesash për 500 kuota që janë në dispozicion.

“Kërkesa është shumë e lartë dhe nuk mund të shpallet program prioritar me këto kërkesa që ka”, tha Kapaj.

Ndërkohë, deputetja Ina Zhupa shprehet se Ministria e Arsimit po punon me dy standarde përderisa po përdor si justifikim nevojën që ka tregu.

“Po thua që tregu nuk ka nevojë përderisa nuk shpallet program prioritar ndërkohë që nga ana tjetër po tentoni t’u mbani diplomat pikërisht sepse sipas jush, është një masë për mungesën e mjekëve. Kjo është të punosh me dy standarde. Kur të ikin studentët dhe të bie numri i kërkesave do i merrni masat? Shëndetësia është një nevojë. Është një degë ku varet jeta e njeriut, nuk ka gjë më prioritare. Ju shikoni prioritare degë që nuk ka rëndësinë e mjekësisë, thjeshtë sepse ka studentë që e duan”, tha Zhupa e cila shton se me mbajtjen e problemit thjesht shtyhet në kohë problem pasi nëse studentët duan të ikin, do ikin pasi të mbarojnë detyrimet.

Ndërsa për uljen e kohës së stazhit, ministria e hedh topin tek Universiteti i Mjekësisë dhe tek Urdhri i Mjekut, duke thënë se të dyja periudhat e stazhit ofrohen nga ato dhe ministria nuk ndërhyn.

Stazhi aktualisht është 6 muaj dhe ndahet në dy faza. 3 muaj stash bëhen para mbrojtjes së diplomës dhe 3 muaj bëhen pasi studenti merr diplomën.

Kapaj thotë se 3 muajt e parë ofrohen nga Universiteti i Mjekësisë dhe ka qenë një kërkesë e BE-së për të plotësuar orët e stazhit dhe si e tillë nuk mund të ndryshohet apo të hiqet.

“Ndërsa periudha e dytë e stazhit ofrohet nga urdhri i mjekut dhe është në tagrin e tyre”, tha zv/ministrja.

Duke folur për pagesën e specializimeve, ku studentët kërkojnë që të gjithë studentët të paguhen për specializim, jo vetëm një pjesë e tyre, zv/ministrja tha se Ministria e Shëndetësisë paguan për aq nevoja sa ajo ka dhe renditja bëhet në bazë të mesatares së studentëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë