Arsim

Shtohet prania e forcave policore, mes tyre dhe civilë. Manastirliu: Në shkolla ka dhunë, bullizëm, drogë

Nga Gazeta Si - Fenomene si ngacmimet, agresioni, dhuna dhe bullizmi janë shtuar nga përdorimi i teknologjisë dhe rrjeteve sociale dhe shkolla është ambienti ku ndodhin më shumë këto fenomene.

Këtë e pranon Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu e cila thotë se për të rritur sigurinë e nxënëseve në shkolla është rritur numri i oficerëve të sigurisë.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm për rreziqet që përballen fëmijët tanë, ngacmime, agresioni dhe dhuna, sigurisht edhe ajo online, bullizmi. Fenomene që janë shtuar nga përdorimi i teknologjisë dhe rrjeteve sociale. Mendojmë se përpjekjet janë bërë për të krijuar mburojën e sigurisë në shkolla, kemi shtuar numrin e oficerëve të sigurisë në shkolla çdo vit, 240 të cilët në bashkëpunim të ngushtë me mësuesit, me komunitetin, bordin e prindërve, po bëjnë një punë të lavdërueshme. Në raport me vit më parë, janë ulur incidentet 733 më pak të raportuara”, tha Manastirliu.

Gjithashtu, Manastirliu tha se janë duke punuar për një trajtim për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e fëmijët.

“Oficerët e sigurisë nuk janë ruajtësit e rendit, por kanë mision për të siguruar ambiente të paqta, për të informuar në kohë mësuesit e prindërit, për të bashkëvepruar me punonjësit sociale dhe psikologët brenda shkollës. Fokusi i tyre është parandalimi, si të afrohemi me nxënësit, si të kuptojmë që fëmija ka përjetuar një ngjarje të padëshirueshme, që mund të përkthehet në sjellje agresiviteti, përdorimin e alkoolit, drograve, duhanit, janë fenomene prezentë. Nëse duam t’i eliminojmë, duhet ti pranojmë që ekzistojnë. Ky sistem i sigurisë së fëmijëve do të fuqizohet”, tregoi Manastirliu.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, theksoi rëndësinë që ka siguria në shkolla dhe angazhimin për t’u krijuar nxënësve dhe mësuesve një mjedis ku ata të ndjehen të mbrojtur dhe të sigurtë.

“Aktualisht, kemi shtuar praninë e forcave policore, me dhe pa uniformë, në zonat rreth shkollave, me qëllim kontrollin dhe parandalimin e çdo incidenti që dëmton shëndetin dhe sigurinë e nxënësve.

Janë instaluar kamera sigurie dhe sisteme monitorimi, në hyrje dhe në perimetrin e institucioneve shkollore, për t’u garantuar që çdo incident të parandalohet në kohë“, tha ministri.

Ndërkohë Edi Rama theksoi se ata mësues që do të dallohen do të paguhen më mirë.

“Sot kemi arritur me ndërhyrjen e fundit të muajit qershor, që pagën mesatare të mësuesve ta kemi 950 euro. Është një rritje domethënëse brenda së cilës ka një përshkallëzim sipas eksperiencës dhe sipas kritereve të vendosura në një rrugëtim të mësuesve, ku ata që dallohen të paguhen më mirë”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë