Arsim

Mbyllen 7 fazat e regjistrimeve në Universitete, nuk ka më vende në degët kryesore. Drejtësia pa interes

Nga Gazeta Si- Rreth 15.700 të rinj fitues në degët e përzgjedhura në universitetet publike dhe private janë regjistruar në raundin e parë të mbajtur nga data 30 gusht deri në 13 shtator.

Në këtë raund i ndarë në 7 faza me interval kohor prej 48-orësh, sekretaritë e fakulteteve kryen procesin e regjistrimit të studentëve që përzgjodhën ndër degët fituese, më të preferuarën prej tyre.

Gjatë dy javëve, ajo çka u vu re ishte ezaurimi total i kuotave në degët ku pranimet u bazuan mbi konkurse sic ishte Mjekësia, Arkitektura dhe Sportet. Ndërkohë, sipas të dhënave, interesi për drejtësinë ka rënë duke bërë që të ketë ende kuota bosh edhe pas mbylljes së 7 fazave.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Rrjeti Akademik Shqiptar, që në 24 orët e para nga nisja e regjistrimeve në raundin e parë, kuotat e shpallura tek dega e Mjekësisë u plotësuan të gjitha, e në fazën e parë 48-orëshe dhe Arkiktektura e Sportet njoftuan se nuk kanë kuota të lira.

Në Universitetin e Mjekësisë, degët që plotësuan të gjitha kuotat e miratuara nga fakultetet janë Mjekësia e Përgjithshme dhe Stomatologjia.

Universiteti i Mjekësisë ka ezauruar 80% të kuotave të saj. Sipas kreut të RASH, edhe në Universitetin Bujqësor ecuria e regjistrimeve ka qenë pozitive, ndërsa pritet një panoramë më e mirë me raundin e dytë.

Kreu i RASH, Arjan Xhelaj tha se nga dita e nesërme (14 shtator) deri pasditen e të dielës, maturantët kanë të drejtën e çregjistrimit, për të përzgjedhur një tjetër degë studimi.

Ndërsa raundi i dytë i aplikimeve do të zhvillohet  të enjten e ardhshme, më 19 shtator, dhe do të zgjasë 48 orë, deri në datën 21 shtator.

Në total janë mbi 19 mijë maturantë që aplikuan këtë vit në portalin u-albania për 10 preferencat në degët e studimit në universitetet publike e private në vend.

Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, viti i ri akademik 2024-2025 do të fillojë më 9 tetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë