Njerez

Shqipëria po plaket më shpejt, të moshuarit kalojnë të rinjtë

Nga Gazeta 'SI' - Plakja e popullsisë do të ndodhë me hapa të shpejtë, të paktën sipas parashikimit të OKB-së.

Në studimin e fundit mbi “Perspektivat e Popullsisë”, OKB parashikon raportin midis të rinjve dhe të moshuarve në Shqipëri, që zmadhohet progresivisht nga viti në vit.

Për 2024-s, ky raport që tregon varësinë e pjesës më të plakur të popullsisë, në raport me më të rinjtë, duke u bazuar në moshën e punës, është 39.5%. OKB parashikon që deri në fund të vitit 2030, ky raport do të jetë 46.7%, pra me një rritje të fortë të moshës madhore, kundrejt të rinjve.

Në një periudhë më afatgjatë, skenari është më dramatik. Deri në vitin 2050, OKB parashikon se barra e të moshuarve mbi të rinjtë në Shqipëri do t’i afrohet normës 70%.

Panorama është njësoj e zymtë edhe për vendet e tjera fqinje, ku shtete si Italia dhe Greqia shfaqin norma të larta të popullsisë së plakur. Kosova ka raportin më të mirë midis të rinjve dhe të moshuarve, rreth 22%.

Sipas shpjegimit të këtij indikatori, sa më e lartë të jetë përqindja, aq më i madh është presioni që ndjen ekonomia, si pasojë e një numri më të lartë pensionistësh dhe një numri më të ulët të rinjsh. Momentalisht, Shqipëria është në konsultim me Bankën Botërore për një reformim të skemës së pensioneve, e cila po goditet që tani nga plakja e popullsisë dhe rënia e fuqisë punëtore. Prej kohësh pjesa më e madhe e skemës së pensioneve në Shqipëri financohet nga buxheti i shtetit dhe jo nga sigurimet shoqërore.

E gjithë Europa dhe jo vetëm Shqipëria po vuan nga plakja e popullsisë. Ajo që dikur njihej si “piramida e popullsisë” ku të moshuarit qëndronin lart dhe të rinjtë poshtë, tashmë është shndërruar në një romb dhe shumë shpejtë, ajo mund të jetë vetëm një trekëndësh.  


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë