Njerez

Popullsia e Shqipërisë do të zvogëlohet me 14% në 30 vitet e ardhshme. Po emigrojnë gratë në moshë riprodhimi

Nga Gazeta 'SI' - Popullsia e Shqipërisë është një nga 6 vendet që parashikohet të përjetojë rënien me të madhe në 30 vitet e ardhshme.

Sipas një parashikimi që ka bërë Organizata e Kombeve të Bashkuara, popullsia e Shqipërisë do të reduktohet me 14% deri në vitin 2054. Në këtë grup bashkë me Shqipërinë është edhe Bosnja Hercegovina, Porto Riko dhe Moldavia.

I njëjti raport thekson se Shqipëria po dëmtohet edhe nga numri i lartë i emigrimit të grave në moshë riprodhuese duke i quajtur “lindje të humbura nga emigracioni”.

Në matjet e Censusit të vitit 2023 nga INSTAT, rezultoi se për shkak të emigracionit, popullsia e Shqipërisë është pakësuar me 400 mijë qytetarë në 12 vitet e fundit, ndërkohë që shtesa natyrore sa vjen dhe reduktohet.

Një raport i mëhershëm i Organizatës Botërore për Emigracionin, parashikonte se popullata e fëmijëve 0-19 vjeç në Shqipëri do të pësojë rënie me 47% deri në vitin 2050, ndërsa popullsia mbi 65 vjeç do të zgjerohet me 56%.

Në analizë, OKB përmend edhe rajonet e tjera të botës ku thekson se në 48 vende, që përfaqësojnë 10% të popullsisë së botës në vitin 2024, numri i popullsisë parashikohet të arrijë kulmin midis 2025 dhe 2054.

Ky grup përfshin Brazilin, Iranin, Turqinë dhe Vietnamin. Në 126 vendet dhe zonat e mbetura, popullsia ka të ngjarë të vazhdojë të rritet deri më 2054, potencialisht duke arritur një kulm pas vitit 2100. Ky grup përfshin disa nga vendet më të populluara në botë: India, Indonezia, Nigeria, Pakistani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në 63 vende dhe zona te tjera, që zotërojnë 28% të popullsisë së botës popullsia e tyre arriti kulmin para vitit 2024. Ky grup përfshin Kinën, Gjermaninë, Japoninë dhe Rusinë, raporton OKB.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë