Politike

Ndryshimet në polici, Meta: Nuk mbyllen skandalet me ndërrime drejtuesish

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nuk ndalet me akuzat ndaj ish-bashkeshortes se tij Monika Kryemadhi edhe pse nuk e përmend direkt me emër. Ai iu referua sërish përplasjes së parë politike që lidhet me djegien e mandatit të deputetëve.  

“Ekziston vetëm një e vërtetë, Meta ka qenë kategorik kundër djegies së mandateve. Është mashtruar kur i është thënë që në rastin më ekstrem mund ta digjte vetëm ish-kryetarja për solidaritet me Lulushin, pro ja që kjo gjë ka ndodhur, ata që komunikuan me presidentin jashtë shtetit aso kohe nuk ua tha qëndrimin e presidentit. Asnjë nga ata nuk i çuan mesazh presidentit për këtë vendim katastrofal që morën dhe kjo ndodhi për shkak të nepotizmit, secili mendoi që derisa po merret ky vendim, si mund ta bëjë gruaja pa dijeninë e burrit”, tha Meta.

“S’mund të ketë deputetë në një familje më shumë se anëtarë. Aq më tepër kur nuk përfaqësojnë asgjë për shkak të lidhjeve nepotike”, vijoi ai.

E njëjta situatë e tij politike edhe në raport me SPAK.

“Përpjekjet e bëra këto muaj nga bashkëpunëtorë të SPAK për të bllokuar organizmin e PL kanë marrë fund me sukses të plotë. Sidomos përpjekjet për të fshehur problemet që kanë shkaktuar me menaxhimin e buxhetit të PL gjatë kësaj periudhe dhe në periudhat e mëparshme. Shumë shpejt do ngrihet komision hetimor për këtë çështje nën drejtimin e Petraq Milos. PL mbi themelet e një transparence të re, do të jetë një shembull edhe i administrimit të shtetit nesër”.

Një qëndrim pati edhe për ndryshimet në Policinë e Shtetit.

“Nuk ka komente më për Policinë e Ramës, polici private. Skandalet e shumta që kanë ndodhur këto kohë nuk shpërlahen me ndërrime drejtuesish, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën. Duhet që strofulla e krimit të organizuar është në kryeministri, aty është strofulla e Ndraghetës dhe atje bëhen ndryshimet për të shpëlarë skandalet në mënyrë që njerëzit të shpresojnë se do ketë ndonjë ndryshim”, tha Meta.

Por ishte i paqartë në raport me PD.

 “Është çështje që ka shumë kohë dhe ne do studiojmë të gjitha opsionet që opozita të futet sa më fuqishëm në këto zgjedhje. Do bëjmë çdo përpjekje për të ndërtuar mekanizimin e organizmit për përballjen me regjimin, duke mos pasur iluzione se presim nga ky regjim kriminal standarde në zgjedhje”, tha Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë