Titulli i kampionit në Premier League për sezonin 2018-19, duket të jetë në një dilemë shumë të fortë. Janë dy ekipe në krye të tabelës që shikohen si pretendentët kryesore për të fituar, Mançester Siti, dhe Liverpul. Por mes kampionëve në fuqi dhe finalistëve të Ligës së Kampionëve duket se do të futet edhe një tjetër ekip në mes. Bëhet fjalën për Çelësin e Mauricio Sarrit që këtë sezon duket të jetë gati për të dueluar për vendet e para. Provën e parë londinezët e dhanë tashmë, fitorja 2-0 të shtunën “Stamford Birdge” me Mançester Sitin ishte një tregues i qartë.

Që në fillim të kampionatit deri në këtë pikë, vetëm pak javë para mbylljes së fazës së parë Mançester Siti dhe Liverpoli kanë ndërruar vendet me njëra tjetrën në krye të podiumit. Që nga organika, merkato e bërë, por edhe dy strategët në stol, këto dy ekipe janë me të drejtë pretendentë për ta fituar titullin në Premier League. Liverpuli, organikës kompetitive të sezonit të shkuar, i shtoi vetëm disa blerje të kujdesshme dhe të mirë studiuara nga vetë Jurgen Klop. Por edhe kampionët në fuqi me një trajner fitues si Guardiola nuk kanë ndërmend ta lëshojnë aq lehtë fronin e kampionit anglez edhe pse merkato nuk ka qenë aq e bujshme si zakonisht.

Në këtë panoramë dhe duke parë 15 javët e Premier League, dukej se ekipet e tjera, Mançester Juajdit, Totenham, Arsenal apo Çelësi ishin shumë larg dhe nuk mund të rivalizonin. Por “blutë e Londrës” në verë bën një ndryshim të rëndësishëm në bankinë, duke ulur një strateg si Mauricio Sarri. Italiani zëvendësoi patriotin e tij, Konte që e humbi kontrollin e ekipit dhe si me magji e ka rilindur këtë skuadër, që dukej si pashpresë. Me Eden Hazard udhëheqës dhe dy blerjë të goditura, Sarri ia doli që të fusë në punë të gjitha ingranazhet e këtij ekipi. Morata po shënon, Joxhinjo dhe Kante kanë marrë frenat e mesfushës në dorë, ndërsa Kepa në portë ka bërë të harrohet Kurtua. Janë këto pikat ku mund të thuhet se është ndjerë më shumë dora e teknikut italian, por nuk duhet harruar edhe mentaliteti, që këtë sezon është i transformuar.

Sarri në javën e fundit, në prag të ndeshjes me Mançester Siti nisi një duel në distancë me deklarata me Pep Guardiolën. Akti i parë i kësaj përballë dy trajnerëve karizmatik u fitua në italiani. Por kjo ishte vetëm beteja e parë e një lufte që pritet të vijojë deri në maj, mbase edhe më tej. Ai që deri më tani ka ditur ta mbajë larg këtë lloj atmosfere dhe presioni që mund të vijë nga mediet është Jurgen Klop. Liverpuli i tij në 5 javët e fundit ka 5 fitore, duke shënuar 13 gola dhe pësuar vetëm 1 dhe tashmë është në krye, duke e lënë pas ekipin e “Citizens”.
Mediet angleze shkruajnë që Klop është mjeshtër në shfrytëzimin e oportuniteteve që i paraqiten. Këtë herë ai do të përpiqet që ta shfrytëzojë në maksimum dualizimin Guardiola-Sarri për tu shkëputur në krye të Premier League dhe pas gati tre dekadash të çojë titullin e kampionit në qytetin e Liverpolit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




