Pagat e ulëta, korrupsioni dhe klientelizmi janë arsyet kryesore pse Shqipëria po vuan nga emigracioni masiv.
Organizata Ndërkombëtare e Emigracionit, IOM, thotë se rreth 40% e rezidentëve shqiptarë janë duke punuar jashtë vendit.
“Vende të tilla si Shqipëria dhe Republika e Moldavisë janë disa nga më të goditurat; rreth 40% e fuqisë punëtore të Shqipërisë, për shembull, vlerësohet të jetë duke punuar jashtë vendit, duke kontribuar në ikjen e trurit, duke ushtruar presion mbi industritë dhe ekonomitë vendase që vazhdimisht humbasin punëtorë si në sektorët me kualifikim të ulët, ashtu edhe në atë të lartë”, thekson IOM.
Mijëra të rinj shqiptarë, përmend raporti, kanë bërë udhëtime të vështira për të arritur në Europën Veriore, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar, ku shumë prej tyre rrezikojnë jetën e tyre duke kaluar Kanalin Anglez me varka të vogla ose gomone me fryrje.
Shifra kombëtare, nga matjet e Censit, treguan se emigracioni shkurtoi popullsinë e Shqipërisë me më shumë se 400 mijë persona në 12 vite. “Ikja e trurit” nga Shqipëria ka prekur pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë, ku gjetja e punonjësve është kthyer në një sfidë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.