Kriza e rëndë financiare që ka mbërthyer Luftëtarin javën e fundit e ka dhënë e efektin e saj edhe në fushën e lojës. Skuadra gjirokastrite është mposhtur këtë javë nga Kamza në shifrat 1-0. Ndeshja mes dy ekipeve që luftojnë për mbijetesën, ka trazuar ujërat në fundin e tabelës, pasi tashmë janë katër ekipe në valle që do të luftojnë me njëra tjetrën se kush do të jetë edhe për sezonin që vjen në elitën e futbollit shqiptar. Me Ernest Gjokën në stol, Kamza duket sikur është e rilindur dhe kjo gjë është konfirmuar këtë të diele jo vetëm nga rezultati por edhe loja e treguar.
Në një terren të rënduar pak nga shiu dhe pak nga intensiteti i ndeshjeve, e para që e merr iniciativën për të sulmuar është Kamza. Ekipi i Gjokës kërkon të arrijë sa më shpejt te goli, por Luftëtari arriti të rezistonte në minutat e para. Por nuk zgjati shumë dhe në minutën e 34’ kamzalinjtë gjejnë golin më anë të Masato Fukuit.

Edhe pas golit të pësuar skuadra e drejtuar nga Gentian Mezani sërish nuk reagon. Në 45’ minutat e dyta, Luftëtari tregon disa shenja të vogla reagimi, por sërish Kamza vijoi të ishte padronia e fushës. Minutat në vijim, pavarësisht rasteve nuk sollën gol tjetër në të dyja krahët dhe Luftëtari tashmë fillon të ndjejë ethet e zonës së ftohtë. Kazma me këtë tre pikësh ngjitet një pozicion, duke dërguar Kastriotin në vendin e fundit.
Por lufta mes Tiranës, Kastriotit, Luftëtarit dhe Kamzës premton që të vijojë edhe në javët e ardhshme, pasi mes të katërta këtyre ekipeve ka vetëm 4 pikë diferencë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




