Gazeta Si – Përmes një mesazhi, policia iu ka bërë apel të gjithë biznesmenëve që të tregohen vigjilentë ndaj mashtrimeve të personave të ndryshëm.
Në një njoftim, policia sqaron se shantazhet ndaj administratorëve të bizneseve t’i denoncojnë menjëherë në organet përkatëse nëse bien pre e kësaj veprimtarie kriminale.
Reagimi vjen pasi së fundmi janë evidentuar dhe goditur disa raste të shantazhit ndaj pronarëve apo administratorëve të bizneseve.
Mashtruesit thonë se flasin në emër të funksionarëve publikë dhe shtetërorë për të dhënë shuma parash për llogari të tyre.
“Policia e Shtetit apelon edhe një herë për të gjithë operatorët ekonomikë që: Të tregohen vigjilentë ndaj rasteve të tilla të mashtrimit dhe të denoncojnë menjëherë pranë strukturave të Policisë së Shtetit, vendore apo qendrore, çdo rast të dyshuar ose nëse janë viktima të kësaj veprimtarie kriminale”, njoftoi policia. Mashtruesit përdorin aplikacione të ndryshme telefonike për të komunikuar me bizneset.
“Prandaj, cilido që konstaton të tilla komunikime apo ka rënë pre e tyre, të denoncojë menjëherë. Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht dhe i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për të parandaluar dhe goditur në kohë, veprimtarinë kriminale, në cilëndo fushë që ajo shfaqet”, njoftoi policia.
Rasti më flagrant, ka të bëjë me Florian Gjegjin, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i akuzuar për “mashtrim me pasoja të rënda”, pasi dyshohet se është “truri”i disa rasteve të zhvatjes të biznesmenëve.
Në bashkëpunim me persona të tjerë, Gjergji dyshohet se nëpërmejt skemave mashtruese kanë tentuar që t’u marrin shuma të mëdha monetare biznesmenëve të ndryshëm duke u shkruar në aplikacionet si “Signal” dhe “Telegram”. Prokuroria e kryeqytetit ka përfunduar hetimet vetëm për dy raste ndërkohë që janë duke u hetuar edhe 5 raste të tjera.
Në bazë të hetimeve rezulton se Gjergji duke përdorur persona të tjerë u shkruante biznesmenëve të ndryshëm mesazhe duke u hequr si zyrtar i lartë. Në dosjen e prokurorisë thuhet se të dyshuarit u shkruanin biznesmenëve duke u thënë se u duheshin shuma të majme parash, për çështje të ndryshme. Rasti i parë i mashtrimit u zbulua në datën 7 janar të 2023-it.
Florian Gjergji dyshohet se të gjithë aktivitetin kriminal e kryen nga Gjermania, vend ku në një prej rasteve të tentativës për të mashtruar u ka thënë personave që pajtonte, t’i dërgonin paratë pasi t’ia merrnin biznesmenit.
40-vjeçari përdor aplikacionet “Telegram” dhe “Signal”, ku u prezantohet biznesmenëve, kryesisht të fushës së ndërtimit, si kryebashkiakë, ministra, apo edhe drejtues të institucioneve shtetërore.
Grupi hetimor nuk përjashton mundësinë që Gjergji të ketë patur sukses në raste të tjera të mashtrimit të biznesmenëve. Prej muajit janar 2023 është tentuar të zbatohet kjo skemë e mashtrimit në 7 raste, ku shuma totale arrin në mbi 500 mijë euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.