Nga Gazeta ‘SI’ – Pas hapjes së garës tenderuese për portin e ri në Porto Romano, kanë nisur procedurat e shpronësimit.
Agjencia Shtetërore për Shpronësimin ka publikuar në Fletoren Zyrtare vendimin e saj, ku paraqet mundësitë e kompensimit për pronarët e tokave aty pranë.
Shpërblim në natyrë është një nga opsionet, ku sipas shpjegimit, pronari shkëmben pasurinë e tij me një tjetër pasuri të patundshme, shtetërore, me të njëjtën vlerë me pronën që kishte.
Por kompensimi mund të bëhet edhe monetar, edhe përzierja e shkëmbimit në natyrë me shkëmbimin në para.
Në vendim theksohet se në çdo rast, shpërblimi në natyrë realizohet vetëm pasi të merret pëlqimi i subjektit që shpronësohet, pëlqimi duhet të jetë unanim nga të gjithë bashkëpronarët, të cilët duhet të dakordësojnë midis tyre për shpërblimin në natyrë. Në rast se ky kusht nuk plotësohet, mungesa e dakordësisë për dhënien e pëlqimit për trajtimin me shpërblim në natyrë nga ana e subjektit, që do të shpronësohet nuk e pengon vijimin e procedurës së shpronësimit, pasi kompensimi i pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, në këtë rast do të bëhet me vlerë financiare, të parashikuar sipas shpronësimit klasik.
Agjencia Shtetërore për Shpronësim vlerëson, se pronarët e pasurive që kërkohen për shpronësim, si dhe personat e tretë të interesuar, jo më vonë se 20 (njëzet) ditë nga publikimi i këtij njoftimi kanë të drejtë të depozitojnë kërkesën e tyre për trajtimin me shkëmbim në natyrë pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin, me qëllim ndjekjen më tej dhe finalizimin e procedurave të shpronësimit.
Më 30 korrik u hap gara ndërkombëtare për ndërtimin e Porto Romanos, me në fond limit 392 mln euro. Kryeministri Edi Rama tha se janë 15 kompani ndërkombëtare të interesuara, ndër të cilat 5 janë kompanitë më të mëdha në botë. Ai shtoi se Porto Romano është projekti i parë në Europë, pas shumë shekujsh, që ndërtohet nga zero.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.