Menaxhim

Koncesioni mbi terminalin e kontejnerëve në Portin e Durrësit, Shqipëria fiton arbitrazhin me kompaninë Kurum

Nga Gazeta ‘SI’ – Shqipëria ka dalë fituese nga arbitrazhi 100 mln eurosh me kompaninë Durres Kurum Shipping SH.P.K që kërkonte dëmshpërblim pas ndërprejes së kontratës koncesionare nga qeveria shqiptare.

Tribunali i gjykatës së arbitrazhit ICSID unanimisht vendosi që koncesioni u ndërpre në respektim të legjislacionit vendas nga gjykatat shqiptare sipas procedurës së rënë dakord në kontratë dhe hodhi poshtë pretendimet e Paditësve që një ndërprerje e tillë ishte kryer me qëllim dhe jo në mënyrën e duhur nga autoritetet shqiptare, konkretisht Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Tribunali gjithashtu urdhëroi Paditësit të paguajnë shumicën e shpenzimeve dhe kostove të Republikës së Shqipërisë në këtë proces arbitrazhi.

Nga ana e saj ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përmes argumenteve ligjore e ka fituar këtë çështje në të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar.

Pretendimet e Kompanive Durres Container Terminal SH.A, Metal Commodities Foreign Trade Corp. dhe Altberg Developments LP, lidheshin me ndërprerjen e koncesionit mbi terminalin e kontejnerëve në Portin e Durrësit. Paditësit kërkonin dëmshpërblim në shuma që tejkalonin vlerën e 100 milionë dollarëve amerikanë.

Ky vendim vjen pak kohë pasi një tjetër çështje u fitua nga shteti shqiptar në gjykatën ndërkombëtare që vepron nën Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC) me seli në Paris, e cila dha vendimin përfundimtar për mosmarrëveshjen e ngritur nga Bankers Petroleum kundër Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë (MIE) dhe Albpetrol.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë