Menaxhim

PD e denoncoi, AKU njofton për tërheqjen nga tregu të mocarelës së skaduar dhe vezëve me salmonelë

Nga Gazeta ‘SI’ – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar se ka tërhequr nga tregu një sasi mocarele të skaduar dhe një numër vezësh me përmbajtje salmonele.

Sipas Autoritetit, mocarela e llojit “Treccia di mozzarella pugliese” ishte me datë skadence të deklaruar gabim dhe nga 7.2 kg produkt, 6.2 janë tërhequr dhe asgjësuar. Urdhëri i RASFF është dhënë më 31 maj 2024, ndërsa për kohën e asgjësimit, AKU nuk jep të dhëna.

Për vezët ku është gjetur prezencë e Salmonelës, AKU thotë se tërhoqi nga tregu 8 nga 12 kg të importuara. Urdhri i RASFF është dhënë më 3 qershor 2024, ndërsa për kohën e asgjësimit, AKU nuk jep të dhëna.

U desh një denoncim i Partisë Demokratike, për të nxitur një reagim publik nga AKU. PD akuzon se Autoriteti ka fshehur lajmërimet e RASFF. Ndonëse AKU e quan informacion të rremë deklaratën e PD-së, sot (1 gusht 2024) është hera e parë që Autoriteti njofton për alertin e këtyre dy produkteve dhe asgjësimin e tyre.

Brenda pak muajve, AKU ka qenë në qendër të debateve publike nën akuzat e moskryerjes së detyrës për të inspektuar cilësinë ushqimore dhe marrjen e masave. Autoriteti u bë “mollë sherri” në Kuvend pas gjetjeve të KLSH-së, se AKU nuk kishte tërhequr nga tregu akulloret me përmbajtje lëndësh kancerogjene. Hetimi u cilësua si i pavërtetë nga Autoriteti dhe deputetët socialistë akuzuan KLSH-në për përhapje të panikut.

Mesa duket për hir të mospërhapjes së panikut, në faqet online të AKU-së gjen vetëm lajme për takimet e ministres së Bujqësisë dhe shumë pak për sigurinë ushqimore të qytetarëve. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë