Menaxhim

Rritje e unifikim pagash bashkive. Mazniku: S’ulet buxheti për pushtetin lokal. Oraret e reja për administratën

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbër Mazniku bëri të ditur pas mbledhjes së qeverisë është vendosur rritja e pagave për të punësuarit në administratën e pushtetit lokal.

Sipas Maznikut, bëhet fjalë për një përllogaritje të re që prek të gjitha bashkitë e vendit, përmes një riklasifikimi të skemës së pagave.

“Konkluduam një proces që nisi që në vitin që shkoi me dialogun vendor. Ka të bëjë me pagat e pushtetit vendor, por jo vetëm për pagat. Është një reformë strukturore që merret me ristrukturimin e bashkive, stafet e tyre në tre grupime të mëdha. Riklasifikuam nivelet e pagave, duke ndryshuar skemën. Në nivele pagash të unifikuara të të gjitha bashkive, duke dhënë mundësitë, që një jurist apo arkitekt, të marrë paga të ngjashme pothuajse në të gjitha bashkitë. Rritja e pagave, të të gjitha bashkive, është në nivele të unifikuara të pagave. Kështu unifikojmë mënyrën e llogaritjes së pagave, me mënyrën sesi llogaritet vjetërsia e punës. Ky vendim do t’i japë mundësi bashkive, të tërheqin në mënyrë nga tregu profesionistë. Ky është ndër hapat e rëndësishëm në ristrukturimin sistematik të të gjitha bashkive”, tha ministri.

Mazniku tha se përmes këtij projektligji unifikohet përllogaritja e pagave, referuar edhe vjetërsisë së punës, duke e konsideruar si një vendim të rëndësishëm për punësim të profesionistëve.

Ministri i Shtetit theksoi se për buxhetin që marrin bashkitë, po rishikohet po ashtu një formulë e re, por asnjë njësi nuk do të marrë më pak para se një vit më parë.

Në të njëjtën mbledhje është miratuar dhe vendimi i qeverisë për oraret e punës së administratës, ku ministrja e Shtetit për Administratën Publike, Adea Pirdeni theksoi se punonjësit do të jenë fleksibël me oraret e tyre, por të gjithë duhet të jenë në administratë në fashën 9:30-15:30.

“Kohëzgjatja mbetet e njëjtë, 8 orë e 30 minuta, por punonjësit mund të përzgjedhin oraret e tyre. Mund t’a nisin më herët dhe dalin më herët, ose e nisin më vonë dhe dalin më vonë, duke garantuar që të jenë të gjithë në zyra nga 9:30-15:30”, tha ministrja teksa theksoi se vendimi ka ardhur pas shumë kërkesash.

Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj njoftoi se Këshilli i Ministrave ka miratuar sot pr.ligjin për produktet organike shqiptare. Denaj shpjegoi se ky pr.ligj organizon rregullat e qartë për produktet organike, të cilat synohet që të vendosen në tregun shqiptar në bazë të standardeve të BE.

Pr.ligji do të rregullojë parimet për certifikimin e operatorëve organik, përdorimin e etiketave dhe reklamimin, si edhe rregullat e kontrollit zyrtar në çdo fazë të prodhimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë