Futboll

Shiu dhe Teuta ndalin Partizanin në Durrës

Në një shi të dendur dhe fushë të rënduar është mbyllur në barazim ndeshja me Teutës dhe Partizani. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” është ndalur në shifrat 1-1. Një ndeshje mbi mesataren e kampionatit tonë si rrallë herë në kushte të këqija atmosferike kishte sjellë tifozët në stadiumin durrsak.

Portieri i parë që thirret në apel është Alban Hoxha, që iu desh të reagonte pas gjuajtjes së Kamara. Vetëm pak minuta më vonë bregdetarët nuk do të gabonin, duke shënuar golin e avantazhit me anë të Gashit. Goli rrit entuziazmin te ekipi i Blendi Shkëmbit që kërkon golin e dytë përballë një Partizani thuajse inekzistent.

Në mesin e pjesës së parë ka edhe disa momente tensioni, por që kalohen me pjekuri nga arbitri. Me rezultatin 1-0, ekipet do të shkonin drejt dhomave të zhveshjes. Në fraksionin e dytë Partizani do të provonte të bënte diçka për t’ia ndryshuar fatin kësaj përballje. Ai që shpëton teknikun Gega është Jasir Asani në minutën e 60’. Sulmuesi nga Shkupi, pak minuta më vonë, por që u ndalua nga portieri veteran Isli Hidi.

Me kalimin e minutave loja u bë edhe më ritmike dhe të dyja ekipet tentuan që ta fitonin këtë përballje, por pa sukses. Deri në vërshëllimën finale të arbitrit Kola shifrat mbetën të pandryshuara dhe Partizani me Teutën do duhet të kënaqen me nga një pikë në këtë përballje.

“Të kuqtë” vijojnë të jenë në krye të klasifikimit, tashmë 5 pikë më shumë se ndjekësit, Skënderbeu, Teuta dhe Kukësi. Ndërsa bregdetarët tashmë janë në pozita shumë komode për kupat e Europës dhe shikojnë drejt kreut, që është vetëm 6 pikë larg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë