Nga Gazeta ‘Si’- Lista e kandidatëve për postin e nënpresidentit në fushatën e demokrates Kamala Harris për Shtëpinë e Bardhë është ngushtuar, ndërsa guvernatori i Karolinës së Veriut, Roy Cooper dhe guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer nuk janë më në listën e kandidatëve të mundshëm.
Vendimi për kandidatin e pritshëm për nënpresident po ndiqet me vëmendje, ndërsa Nënpresidentja Kamala Harris siguroi mbështetjen e demokratëve duke u bërë kandidatja e pritshme për Shtëpinë e Bardhë, pasi Presidenti Joe Biden tërhoqi kandidaturën për një mandat të dytë presidencial një javë më parë.
Kandidatët për postin e nënpresidentit mund të zgjidhen në mënyrë të tillë që të zgjerojnë mbështetjen mes votuesve. Harris po shqyrton një listë kandidatësh të mundshëm, kryesisht burra të bardhë.
Guvernatori Cooper u tërhoq nga lista e kandidatëve të mundshëm për postin e nënpresidentit në dyshen demokrate për Shtëpinë e Bardhë, duke thënë në një deklaratë të hënën se: “Ishte nder për mua që më konsideruan për këtë post. Nuk është koha e duhur për Karolinën e Veriut dhe për mua që të kandidoj”.
Po të hënën, guvernatorja Whitmer tha në programin televiziv “CBS Mornings” se ajo “nuk ishte pjesë e vetingut” për postin e kandidates për nënpresidente në fushatën e demokrates Kamala Harris për Shtëpinë e Bardhë.
“Kam komunikuar me të gjithë, përfshirë popullin e Miçiganit, se do të qëndroj guvernatore deri në fund të mandatit tim në fund të vitit 2026”, tha zonja Whitmer.
Harris e shfrytëzoi fundjavën për të zhvilluar biseda private me disa prej kandidatëve, mes tyre edhe guvernatorin e Pensilvanisë, Josh Shapiro, sipas dy burimeve.
Mes emrave të përfolur janë edhe guvernatori i Kentakit, Andy Beshear, Senatori i Arizonës Mark Kelly, guvernatori i Minesotës, Tim Walz dhe Sekretari i Transportit, Pete Buttigieg. Kandidatët e mundshëm kanë dalë nëpër emisione televizive kombëtare për të treguar se çfarë i ofrojnë fushatës demokrate.
Buttigieg, i konsideruar edhe nga aleatët e tij me shanse të vogla për t’u përzgjedhur, zhvilloi një bisedë private me Kamala Harris lidhur me mundësinë e kandidaturës për nënpresident, thanë dy burime. Ai zhvilloi gjithashtu një telefonatë me një grup donatorësh të kohës kur kandidonte për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020, ku sipas burimeve, ishte shprehur se ishte i interesuar për kandidaturën e nënpresidentit, por do të respektonte procesin.
Harris: Muajt e ardhshëm në Xhorxhia do të jenë një betejë serioze
Nënpresidentja Kamala Harris tha të martën në një stadium të mbushur plot dhe të zhurmshëm në Xhorxhia, se muajt e ardhshëm do të ishin një betejë serioze dhe pranoi se demokratët ishin në këto momente të dobëtit, por e siguroi turmën se do të fitonin në nëntor
“Kemi një betejë përpara nesh”, tha kandidatja e mundshme për presidente. “Ritmi në këtë garë po ndryshon. Dhe ka shenja se Donald Trump-i po e ndjen këtë”
Pak më shumë se një javë më parë, Xhorxhia dukej se po dilte nga kontrolli i demokratëve: ekipi elektoral i Presidentit Joe Biden u zotua të përqendrohej më shumë në mbajtjen e shteteve që votojnë tradicionalisht demokratët dhe dha tregues se mund të ishin të gatshëm të mos përqëndroheshin më shumë në shtete të tjera
Por tani që Presidenti Biden është larguar nga gara dhe Nënpresidentja Harris është kandidatja e mundshme, demokratët po shprehin shpresa të reja për një hartë të zgjeruar zgjedhore dhe e mirëpritën nënpresidenten në shtetin që i dha Presidentit Biden diferencën e tij më të ngushtë të fitores në vitin 2020
Harris tha se kur të zgjidhej, ajo do të punonte për të nënshkruar legjislacion të rëndësishëm për emigracionin dhe për t’i treguar ish-Presidentit Donald Trump se si duket “një udhëheqës i vërtetë”.//VOA
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.