Një palë atlete Adidas kanë trazuar rrjetin.
Për Lojërat Olimpike 2024, Adidas riktheu koleksionin e vitit 1970 dhe për këtë zgjodhi modelen me origjinë palestineze, Bella Hadid.
Të gjitha ishin në rregull, deri sa në rrjet u rikthye një histori makabër që lidhej me këto atlete dhe me Lojërat Olimpike. Në Lojërat Olimpike të Mynihut 1972 atletet SL72 dolën për herë të parë në treg dhe po gjatë atij edicioni u vranë 11 atletë izraelitë dhe një polic gjerman nga një grup militant palestinez.
Rrjeti nisi një bojkot drejt Adidas por edhe modeles Hadid, deri sa Adidas njoftoi se palestinezja nuk është më pjesë e fushatës.
Hadid reagoi sot për herë të parë për ngjarjen duke u shprehur se ishte e “tronditur” dhe e “mërzitur” nga ky krahasim që njerëzit i kanë bërë këtij koleksioni atletesh me ngjarjet mizore të vitit 1972.
“Ekipi im duhet ta dinte këtë! Adidas duhet ta dinte dhe unë duhet të kisha bërë më shumë kërkime, në mënyrë që të kisha kuptuar gjithçka dhe të flisja”, u shpreh Bella ndër të tjera.
Më tej, për pretendimet se Bella është një mbrojtëse e Palestinës dhe ka prirje anti-izraelite, modelja tha:
“Palestina nuk është sinonim i terrorizmit dhe kjo fushatë theksoi pa dashje një ngjarje që nuk përfaqëson atë që ne jemi”.
Ajo vijoi:
“Unë jam një grua krenare palestineze dhe mendoj se ka shumë më tepër gjëra në kulturën tonë se sa ato krahasime që janë bërë gjatë javës së kaluar.”
Hadid gjithashtu mohoi të ishte antisemitike, duke shkruar: “Antisemitizmi nuk ka vend në çlirimin e popullit palestinez.
“Unë gjithmonë jam për paqen mbi dhunën, çdo ditë,” theksoi ajo. “Urrejtja nuk ka vend këtu dhe unë do të mbroj gjithmonë jo vetëm popullin tim, por çdo person në mbarë botën.”
Adidas tashmë ka kërkuar falje për fushatën dhe ndikimin negativ që solli.
“Vazhdojnë të bëhen lidhje me tragjedinë e tmerrshme që ndodhi në Lojërat Olimpike të Mynihut, për shkak të fushatës sonë të fundit SL72,” u shpreh marka e këpucëve në një deklaratë në Instastory të llogarisë zyrtare në Instagram.
“Këto supozime nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe ne kërkojmë falje për çdo shqetësim të shkaktuar”.
Sa i përket Adidas, s’është hera e parë që ndërpret bashkëpunimet për hir të akuzave për antisemitizëm. Në tetor të vitit 2022, marka sportive ndërpreu bashkëpunimin me Kanye West, për shkak se “nuk toleron antisemitizmin”, nisur nga komentet e reperit për komunitetin hebre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.