Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi, mohoi që marrëveshja me PS-së për ndryshimet në Kodin Zgjedhor të jetë pjesë e një pazari politik,
Duke shigjetuar më së shumti Lulzim Bashën që kërkonte plotësisht lista të hapura, Bardhi i bëri një sfidë atij dhe kujtdo që gjatë ditës në Kuvend kishin folur për lista nga populli.
“Në këtë foltore po flitet për shumëçka por jo për thelbin… Cilido dashnor i votës ka mundësi të kandidojë si kandidat i pavarur të marrë vota dhe të vijë në këtë sallë. Ne po nxitemi të zbatojmë vendimet e GJK. Drafti i paraqitur nga kolegët parashikon ekzaktësisht vetëm këtë. I kemi krijuar mundësi çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë dhe secilit koleg që është në këtë sallë si pasojë e vullnetit të partive. Nëse ishit dashnor të listave të hapura hiqni dorë nga mandati dhe lini vendin atyre që morën më shumë vota. Secili prej nesh ka patur deputetë poshtë listave që kanë marrë më shumë vota. Meqë qenkeni parimor dhe dëshironi që të vijnë në Kuvend, jepni dorëheqjen. Kush thotë se GJK ka urdhëruar të jenë listat 100% të hapura ose gënjen ose është injorant. GJK ka shfuqizuar numerikisht herësin e 2020 duke e konsideruar si numër votash jo proporcional.
Ka quajtur si kushtetuese të drejtën e ligjvënësit që të përcaktoj modelin më të mirë. Jo më pak se 1/3 e listës së kandidatëve të partive të jenë të hapur. A është propozimi më i mirë, ndoshta po, ndoshta jo. ne sot diskutojmë që ajo formulë nuk ishte më e mira. Ku ka sistem më të pastër se mazhoritari. Po kush i cakton kandidatët në sistemin mazhoritar? A mund të jetë ai sistemi më i mirë. Mund të jetë. Jepni ide, jepni propozime. Ndryshe nga ç’thuhet, pazar pazar. Duhet të bëjmë krahasimin me sistemin që kemi sot”, tha Bardhi.
Duke iu referuar deputetëve që thyen herësin zgjedhjet e fundit, Bardhi tha se ishin vetëm tre kolegë, ndërsa zgjedhjet e ardhshme u mundësohet 40 deputetëve që të caktuar po nga partia, mund të votohen drejtpërdrejt në popull.
“137 të tjerët janë produkt i listave të mbyllura. Në shkojmë drejt një formule, ku 100 deputetë renditen nga partia politike, dhe 40 të tjerë që i cakton po partia politike do kenë mundësi të jenë përfaqësues i qytetarëve në Kuvend. 40 deputetë të ndarë në parti është numër i domosdoshëm për të përcaktuar qeverisjen në vend.
Po mund të ketë qenë gabim. Në çdo palë zgjedhje ofrojmë mundësi të ndryshme. Nuk mund të ketë zgjidhje pa u testuar. Propozimi sot, çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë që ndodhet jashtë do të votojë atje ku ndodhet. Është një arritje. Gjysma e shqiptarëve, ata që mbajnë prindërit këtu do të kenë mundësi të diktojnë qeverisjen e vendit. Dëgjova pazar, i kishim koalicionet në 2019. Ta kesh të drejtën për të bërë koalicion dhe të heqësh dorë me marrëveshje me kundërshtarin politik. Ky është Pazar. Janë mësuar ta bëjnë politikën si pazar. Këta kishin mundësi dy vjet ta impononin Edi Ramën dhe nuk bënë asgjë”, tha Bardhi duke shigjetuar pikërisht Bashën
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



