Politike

Begaj dekretoi zgjedhjet e Himarës, Beleri kërkon shpalljen të pavlefshme, Gjykata vendosi kalimin e çështjes për gjykim

Në Gjykatën Administrative të Tiranës, u zhvillua seanca gjyqësore, pas kallëzimit të Fredi Belerit ndaj Presidentit Bajram Begaj, për dekretin e 4 gushtit të zgjedhjeve në Bashkinë e Himarës.

Beleri ka kërkuar shpalljen të pavlefshëm të këtij dekreti, pasi sipas tij, janë shkelur të gjitha procedurat dhe dispozitat ligjore për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Sipas palës paditëse, avokatja Klodiana Gjyzari ka argumentuar se Fredi Beleri pas vendimit të KQZ, i cili shpalli të pavlefshëm mandatin e tij, ka të drejtë të ankimojë vendimin deri më datë 5 gusht.

“Për aq kohë sa është ky afat, Beleri mund të bej ankim në çdo moment, pra ne kërkojmë të vendoset sigurimi i padisë, pasi nuk janë ezauruar të gjitha hallkat, për çështjen e zgjedhjeve”, është shprehur ajo.

Ndërkohë, pala e presidencës argumenton se “nuk mund të kërkohet shfuqizimi i aktit ose pavlefshmëri akti, nuk mund të kërkohet antikushtetueshmëri e dekretit, pasi nuk është kjo gjykatë kompetente. Ky dekret nuk është akt administrativ”.

Pas parashtrimit të argumenteve, Gjykata vendosi kalimin e çështjes për gjykim. Seanca e radhës do të mbahet më 30 korrik, 10:30.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë