Politike

Mbyllja e listave, Adriatik Lapaj: Do të garojmë. Të ndryshojmë sistemin nga brenda

Adriatik Lapaj i lëvizjes së re politike “Shqipëria bëhet” mblodhi 2 mijë firma qytetarësh për të propozuar ndryshimin e Kodit Zgjedhor për bërjen e Shqipërisë një zonë zgjedhore nga 12 që ka aktualisht, hapjen e listave dhe mundësimin e votës së emigrantëve.

Me marrëveshjen PS-PD për mosndryshimin e sistemit, listat e mbyllura dhe votën e emigrantëve, nisma e 21 mijë firmave u rrëzua, por Adriatik Lapaj nuk ka hequr dorë.

“Beteja jonë për hapjen e sistemit do të bëhet në çdo formë, jashtë dhe brenda parlamentit” tha kreu i lëvizjes së re politike në një intervistë për Gazeta Si, duke i njohur vetes meritat për rritjen e presionit publik për votën e diasporës.

 Por megjithë pengesat që sistemi aktual sjell për partitë e vogla, Adriatik Lapaj e ka ndarë mendjen në lidhje me zgjedhjet e ardhshme. “Do të garojmë! Sistemi aktual nuk na tremb fare. Kur i merr zemrën qytetarëve, nuk ka sistem që të ndal. Do të garojmë! Qytetarët do të duhet të zgjedhin mes pengmarrësve dhe ndryshimit.”- u shpreh Adriatik Lapaj, i cili tregon gjatë intervistës se cilën pjesë të kompromisit PS-PD do të votonte, nëse do të ishte anëtar i Kuvendit të Shqipërisë.

Gazeta Si: Si e komentoni  kompromisin mes PS dhe PD për reformën zgjedhore?

Adriatik Lapaj: Gjithmonë kur bëhet fjalë për interesat e tyre, për karriget e tyre, ata bëhen bashkë. Dhe kësaj here u bënë bashkë për të mbyllur listat më keq se ç'ishin. Nuk janë kompromise për qytetarët asnjëherë, janë kompromise për interesa të ngushta, për të mbrojtur të paprekshmit e tyre. Por një fitore të madhe e imponuam kësaj here. Ia dolëm të miratohet vota e emigrantëve, e cila ishte një betejë 20 vjeçare, e finalizuar me sukses tashmë. Në komision e votuan të detyruar, pasi, siç dhe vetë e përmendën rrezikonte që zgjedhjet të dilnin antikushtetuese e, mandej, të mbahej prej deputetëve përgjegjësi penale për dëmin ekonomik prej 40 milion euro që do të vinte nga pavlefshmeria e zgjedhjeve.

Gazeta Si: Nëse do të ishit anëtar i Kuvendit të Shqipërisë do të votonit ndonjë nga ndryshimet?

Adriatik Lapaj: Lajmi i mirë është se vota e diasporës po kalon. Është një e drejtë e mohuar padrejtësisht, që me shumë vonesë po shkon në vendin e saj. Nëse do të ishim ne përfaqësues aty  do të miratonin gjithashtu 100% listat e hapura.

 Gazeta Si: A i arrin pritshmëritë tuaja dakordësimi për votën e emigrantëve? Ju keni bërë disa takime me shqiptarët jashtë vendit.

Adriatik Lapaj: Ne ishim prezent në Komisionin e Ligjeve, ku përfaqësuam zërin e 21 mijë qytetarëve që kanë firmosur për projektligjin tonë dhe ku parashtruam propozimet tona, krahasuar me draftin e dakordësuar PS-PD. Ndryshimet që ne propozuam dhe që u miratuan nga Komisioni, janë  Fleta e Votimit, që duhet të jetë e ndryshme nga ngjyra, nga fleta me të cilën votohet këtu. Ndërsa pika tjetër është ngritja e një Komisioni të Posaçëm me 5 anëtarë për pritjen dhe administrimin këtu të votave të emigrantëve.

 Gazeta Si: Pas kompromisit PS-PD për mbylljen e listave në 1/3 e tyre çfarë do të ndodhë me nismën tuaj për ndryshimin e sistemit zgjedhor?

Adriatik Lapaj: Ne jemi të palëkundur në betejën tonë për ndryshimin e sistemit. Kur e nisëm në fillim rrugën tonë, na thonin “po flisni për gjëra të paarritshme, ata nuk ju marrin parasysh” etj etj. Sot jemi përballë faktit të kryer që, bashkë me qytetarët e Republikës së Shqipërisë, imponuam të drejtën e votës së emigrantëve. Në të njëjtën mënyrë do të imponojmë ndryshimin e sistemit dhe hapjen 100% të listave zgjedhore. Të jeni të bindur. Nëse qytetarët me votë do të na japin mundësinë të vendosim, ky vend nuk do të ketë më qeveri e do të shkojë në zgjedhje të parakohshme aq kohë sa të miratohen ndryshimet duke hapur 100% listat, duke e bërë Shqipërinë një zonë zgjedhore, duke miratuar ligjin për referendumet dhe duke depolitizuar plotësisht administratën zgjedhore.

Gazeta Si: Do të merrni pjesë në zgjedhje me sistemin aktual?

Adriatik Lapaj: Beteja jonë për hapjen e sistemit do të bëhet në çdo formë, jashtë dhe brenda parlamentit. Do të garojmë! Sistemi aktual nuk na tremb fare. Beteja jonë për sistemin ka qenë parimore. Ka qenë për t'i shkurtuar rrugë demokratizimit të vendit. Ka qenë që në Parlament të rritet cilësia e përfaqësimit. Kur i merr zemrën qytetarëve, nuk ka sistem që të ndal. Do të garojmë! Qytetarët do të duhet të zgjedhin mes pengmarrësve dhe ndryshimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë