Menaxhim

Balluku takon Salvinin: Italia mbështetja më e madhe e Shqipërisë. Italianët interes për investime

Nga Gazeta 'SI' - Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku zhvilloi në Romë një takim pune me homologun e saj italian Matteo Salvini, ku theksoi se Italia mbetet mbështetja më e madhe e Shqipërisë.

 “Tek Italia nuk gjejmë vetëm një mbështetëse të madhe të rrugëtimit Europian të Shqipërisë, por një partnere konkrete në përpjekjen tonë për më shumë ndërlidhje në energji, më shumë siguri lundrimore dhe zhvillim të qëndrueshëm për transportin ajror dhe hekurudhor”, u shpreh Balluku gjatë takimit.

Homologu italian Salvini tha se Shqipëria po bëhet akoma më tërheqëse për investimet nga Italia dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur rritjen e kapaciteteve në mjete të rojës bregdetare shqiptare, në përputhje me nevojat e saj për më shumë siguri lundrimore dhe mbështetje të ekonomisë blu.

Delegacionet u ndalën në ecurinë e projekteve përgjatë Korridorit VIII dhe veçanërisht në ato hekurudhore, të cilat po financohen nga Bashkimi Evropian, duke ndarë pikëpamjen se Korridori Blu dhe Korridori VIII përbëjnë vepra kyçe për turizmin, zinxhirët e furnizimit dhe për sigurinë e rajonit Adriatiko-Jonian në tërësi.

 “Përtej bashkëpunimit evident në fushën e sigurisë, marrëdhënia dypalëshe mund të përkufizohet si një seri kantieresh që kemi dëshirë t’i çojmë përpara bashkërisht”, tha Balluku, në përmbyllje të vizitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë