Politike

Ligjet miratojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Alibeaj kundër votës së diasporës: Po i trajtoni si kavie

Komisioni i Ligjeve miratoi me 19 vota pro dhe 1 kundër (Enkelejd Alibeajn) ndryshimet në Kodin Zgjedhor për votën e diasporës.

Alibeaj, duke sqaruar votën kundër tha se ai nuk mund të pranojë që emigrantët shqiptarë të trajtohen si kavie.

“Serioziteti e kërkon që vota të garantohet në mënyrë efektive dhe ky dokument, produkt i një pazari, nuk e garanton. Vota e diasporës, sipas këtij varianti, është njëlloj si të varësh mëlçitë në qafën e ujkut, ju po ia varni votat në qafë Edi Ramës”, tha Alibeaj.

Drafti i kalon tashmë Kuvendit për miratim, ndërsa i vetmi deputet që votoi kundër ishte Enkelejd Alibeaj, i cili e cilëson një pazar.

Pavarësisht kritikave të shumta për 1/3 e listës së mbyllur, në fund edhe deputeti Dash Sula votoi pro draftit të dakordësuar.

Sula dhe Alibeaj kritikuan draftin, ndërsa thanë se u dorëzua nxitimthi vetëm 30 minuta para nisjes së mbledhjes. Për Sulën, gjithçka është vulosur dhe po përsëritet skema e 2008.

“S’ka asnjë lloj logjike, që unë e mësoj gjysmë ore para, skam pasur mundësi ta lexoj pr.ligjin që është depozituar nga PS dhe PD. Gjithçka është vlerësuar, vulosur dhe ka ardhur këtu. Nisma të tjera që do diskutohen sot janë totalisht kot”, tha Sula.

“Ajo se çfarë po bëhet sot, nuk është se po bëhet një Reformë Zgjedhore e minutës së fundit, me një Pazar të bërë natën fshehtas, sot po i dhurohet mandati i katërt Ramës në tavolinë. S’ka nevojë sot më për zgjedhje, e ka marrë, e ka blerë pushtetin dhe mandatin e katërt. Dhe bashkë me të mbetet e vetmja gjë, si të ruajmë ndonjë karrige për vete”, tha Alibeaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë