Politike

PD e PS, gati draftet për diasporën, dallimet mes tyre lidhen me vullnetin politik (pikat ku ndahen e bashkohen)    

Nëse do t’i referohemi dy projektligjeve që PD e PS kanë depozituar për votën e  diasporës atëherë mund të thuhet se mundësia për ta kaluar si proces është e madhe deri të premten. Mjafton vetëm vullneti i të dyja palëve dhe specifikimi i disa ngërçeve që lidhen kryesisht me adresën e votuesit që ndodhet jashtë vendit

Të dy palët bien dakord që zgjedhësi që është me vendbanim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e radhës për Kuvendin duhet të regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit.

Aktualisht lista e zgjedhësve jashtë vendit është një listë e vetme në shkallë vendi dhe përmban listën e shtetasve shqiptare që janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe kanë shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Lista e zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit përfshin vetëm zgjedhësit me vendbanim jashtë vendit.

Lista e zgjedhësve pas përfundimit të procesit nuk ndryshon në asnjë rrethanë sipas PS dhe për asnjë shkak pas afatit të parashikuar në këtë dokument

Sipas PD, lista e votuesve që votojnë nga jashtë shtetit është e vlefshme vetëm për zgjedhjet për të cilat ato janë hartuar dhe ç’regjistrohen nga lista  e zgjedhësve që janë parashikuar brenda vendit. Në anën tjetër, sipas PD-së, KQZ duhet të ruajë bazën e  të dhënave të zgjedhësve që votojnë jashtë territorit për cdo palë zgjedhje.

Dokumentacioni që kërkohet për të regjistruar vendbanimin e zgjedhësve që kanë shprehur vullnetin për të votuar nga jashtë vendit është i njëjtë me atë të parashikuar në ligjin “Për identifikimin e regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.

KQZ-ja gjithashtu ka detyrimin të dërgojë nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin jashtë.

Fleta e votimit është e njëjtë me fletën e votimit që përdoret Brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Më tej, fletët e votimit të plotësuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ-së, nëpërmjet shërbimit postar me shpenzimet e zgjedhësit.

PS e PD bien dakord gjithashtu fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë vendit në momentin e mbërritjes në KQZ (aty ku edhe do të numërohen) do të ndahen sipas zonës zgjedhore të vendbanimit më të fundit të zgjedhësit para largimit nga Shqipëria.

Ndryshe nga PS, PD ka specifikuar se nuk mund te pranohet asnje flete votimi nga jashte nese mberrin me vone se 72 ore nga data e zgjedhjeve.

PS nuk e ka specifikuar gjithashtu llojin e postës shqiptar apo të huaj, ndersa PD-ja thote se KQZ eshte e detyruar te zgjedhe nje operator postar me eksperience dhe reputacion nderkombetar qe siguron poste te shpejte.

Pika e me diskutueshme është se kush e ka të drejtën e votës nga jashtë vendit. PS thotë të gjithë ata që kanë një adresë vendbanimi jashtë, ndërsa PD-ja specifikon që të drejtën  votës nga jashtë vendit e kanë cdo shtetas shqiptar me të drejtë vote që për arsye banimi, pune, studimi, shërbimi ushtarak apo kurimi ndodhet jashtë territorit të zgjedhjeve ditën e votimit.

PD ka specifikuar edhe afatet detyruese për KQZ-së se kur realizohet procesi i dërgimit dhe më pas numërimit të fletës së votimit, ndërsa ka shtuar si hallke të rëndësishme në këtë proces edhe komisionin e Rregullatorit, ndryshe nga PS që nuk e ka përfshire as fare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë