Politike

KLSH kërkon dorëheqjen e drejtoreshës së buxhetit për dëm financiar. Përballje te Komisioni i Ekonomisë

Nga Gazeta 'SI' - Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu është rikthyer në komisionin e Ekonomisë dhe ka kërkuar shkarkimin e drejtoreshës së përgjithshme të buxhetit, Mimoza Dhëmbi.

Sipas një auditi të bërë nga KLSH, Dhëmbi nuk ka kryer detyrën e saj duke mosrespektuar detyrimet fiskale si dhe duke kryer shkelje në buxhet e investime, e si rrjedhojë duke i shkaktuar dëm ekonomik shtetit shqiptar.

“...Për problematikat në drejtim të mos respektimit të disiplinës fiskale, konstatuar kjo në të gjitha fazat e planifikimit, ekzekutimit dhe raportimit të buxhetit, në kundërshtim me kërkesat e LOB-it, që konsistojnë në: rialokime për projektet e investimeve me financim të brendshëm pa respektuar radhën prioritare në buxhetim, keqklasifikimin e investimeve, krijimin e kushteve për marrjen e angazhimeve pa fonde buxhetore, mungesën e monitorimit të stokut të detyrimeve të prapambetura, pasi nuk raportohet në vlerën e saktë dhe mbetet jashtë treguesve të konsoliduar fiskalë, gjenerimi i penaliteteve nga mos ekzekutimi në kohë i vendimeve të GJEDNJ etj...”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e KLSH-së.

Specifikisht, abuzimi i Dhëmbit sipas KLSH-së është konkluduar në shpërndarjen e fondit të 300 mijë eurove, për rikonstruksion të një shkolle profesionale, në pronësi të Shoqatës “SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqiptarë”.

Lidhur me këtë, kreu i komisionit të Ekonomisë, Eduart Shalsi ka ftuar për raportim, drejtoreshën Dhëmbi. Ajo tha se nuk ka pasur kontakte me KLSH-në dhe se gjetjet e raportit ishin të papritura.

Mimoza Dhëmbi, drejtoreshë e përgjithshme e buxhetit

Pjesë nga debati:

Arben Shehu: Kjo situatë nuk ka lidhje me detyrimin tonë për të raportuar për këtë çështje. Është një precedent i pabazë ligjërisht për të thirrur të gjithë punonjësit e administratës për pretendimet e tyre.

Eduard Shalsi: Ku bazoheni që nuk thoni që është i bazuar ligjërisht. 

Arben Shehu: Ne kemi detyrim raportimin vjetor, jo çështje të tjera.

Eduard  Shalsi: Është i vërtet që nuk është i ndodhur ky precedent, por në dijeninë time KLSH kurrë nuk ka një raport të tillë.

Arben Shehu: Jemi të vlerësimit, që kjo nuk është pjesë e detyrimit për të raportuar. Kërkoj të rishikoni vendimin tuaj, kjo do ti shërbej edhe ecjes përpara në bashkëpunimin institucional, për të përmirësuar ecurinë e punës.

Eduard Shalsi: Ajo nuk do të vendoset në siklet.

Mimoza Dhëmbi: Kam filluar punë që në 92’, dhe kam ndërruar 15-16 ministra.

Eduard Shalsi: Keni pasur raste të tjera ku janë marrë masa përballë jush

Mimoza Dhëmbi: Po është hera e parë, me KLSH-në kemi pasur bashkëpunim dhe ballafaqim deri në produktin final.

Eduard Shalsi: Si jeni ndjerë, jeni njohur paraprakisht për këtë raportin e KLSH?

Mimoza Dhëmbi: Ka qenë surprizë, për ne, kemi marrë raportin paraprak, dhe ishim të bindur që raporti vjetor s’do kishte surpriza. Ndërkohë që ishim në pritje të ballafaqimi këtë vit ai nuk u bë. Flasim për tetorin e 2023-shit, kur u bë buxheti faktik i 2022.

Frrok Gjini: A keni pasur kontakte me KLSH-në për konstatimet?

Mimoza Dhëmbi: Jo!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë