Politike

Basha: Rama e Berisha, pakt për të mbyllur listat, e votojnë të premten. Sot çoj vulën e PD në Gjykatën e Lartë

Kreu i grupimit demokratët euroatlantikë, Lulzim Basha, në një konferencë për mediat, është shprehur se PS e PD do të miratojnë paketën për reformën zgjedhore të premten si pjesë e asaj që ai e cilësoi pazari politik për mbylljen e listave.  

“Tani siç kemi paralajmëruar prej kohësh po avancojnë me fazën e tretë të këtij pazari i cili parashikohet të marrë formë të enjten, apo me gjasa të premten e kësaj jave, në seancën e fundit para gushtit që është pakti i Edi Ramës dhe Sali Berishës për të rimbyllur listat që hapi Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj. Për ta thënë fare qartë, qytetarët shqiptarë sot pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, vendosin vet me votën e tyre se kujt ia japin votën dhe kë dërgojnë në Parlament. Ndryshe nga pakti famëkeq Berisha-Rama i vitit 2008 ku kjo e drejtë në mënyrë ekskluzive iu kalua kryetarëve të partive. Pra, Parlamenti nuk është më i Shqipërisë, nuk është më Kuvendi i Shqipërisë, por është Kuvendi i një stërgrupi të strukturuar kriminal që ka brenda shumë grupe të strukturuara të krimit të organizuar, të oligarkisë ekonomike financiare, natyrisht edhe të krimit e të korrupsionit politik shqiptar.

Në përgjigje të kësaj që nga viti 2021 ne kemi kërkuar hapjen e plotë të listave, kjo nuk ndodhi, të gjithë e mbani mend se si u shpërdorua kërkesa jonë për hapjen e listave për të bërë një hapje sa për sy e faqe, gjasme një hapje dhe që ruante 1/3 e listës si monopol të kryetarëve të partive dhe vendosën një prag prej 10 mijë votash për pjesën tjetër të listës. Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar dhe e ka quajtur anti-Kushtetuese këtë stimulim të Kodit zgjedhor të kaluar në atë kohë nga Edi Rama dhe pupacët e tij në Parlament”, tha Basha.

I shoqëruar në konference nga zëdhënësja e tij në njërën anë dhe deputetja demokratë Oriola Pampuri në anën tjetër, Basha i bëri thirrje deputetëve që të mos e votojnë këtë paketë ndërsa njoftoi se sot do të dërgonte në Gjykatën e Lartë rekursin për vulën e PD.

“Të gjithë shqiptarët duhet ta dinë që ne sot dorëzojmë rekursin në Gjykatë të Lartë. Zbardhja e vendimit të Apelit, tregon se sa skandaloz dhe i hapur ka qenë presioni politik ndaj këtyre gjyqtarëve. Me dy fjalë apeli ka thënë që ne nuk kishim të drejtë të ishim palë në atë gjyq. Kjo me dy fjalë do të thotë: të jesh në shtëpinë tënde, të vij dikush të të thotë jo nuk është e jotja, është e imja dhe pastaj ti nuk ke të drejtë as të ankohesh në gjykatë. Dhe kur e mendon që kjo me të vërtetë ka ndodhur me shtëpitë dhe me pronat e shqiptarëve, e kupton se sa e tmerrshme ka qenë kjo padrejtësi.

Se çfarë batërdie kanë bërë gjyqtarë të tillë mbi pronat e shqiptarëve. U kanë marrë pronat e baballarëve, pronat e gjyshërve, pronat e familjes. Dhe tani me të njëjtin guxim duan të tjetërsojnë vullnetin e një force politike që nuk vepron në bazë të qejfeve dhe tekave të një individi. Që nuk mund të jetë subjekt i planeve politike të kryeministrit të ardhshëm, por duhet t’i nënshtrohet ligjit. Dhe ligji është fare i qartë, me ligj e sipas ligjit jo vetëm që ky vendim është i paligjshëm, por kërkesa për marrjen e këtij vendimi mbart element të ndjekjes penale siç janë falsifikimet të dokumenteve zyrtare. Ndaj ne sot zyrtarisht protokollojmë rekursin e Partisë Demokratike të Shqipërisë – Demokratëve Euroatlantikë në Gjykatën e Lartë”, tha Basha


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë