Ne rrjet

Kuvendi Gjithëserb, Beogradi mbledh Parlamentin në seancë të jashtëzakonshme

Nga Gazeta ‘Si’-Kuvendi i Serbisë do të nisë sot seancën e jashtëzakonshme në të cilën pritet të miratohet e ashtuquajtura Deklarata e Kuvendit Panserb.

Një deklaratë e tillë synon të marrë në mbrojtje të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmes së përbashkët të popullit serb.

Po ashtu, deklarata e dalë nga Kuvendi Panserb synon ta paraqesë Republikën e Kosovës si pjesë integrale të Serbisë.

Në deklaratë përmendet edhe që Kosova “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”, dhe që Kuvendi gjithëserb mbështet përpjekjet e Republikës së Serbisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, të garantuar me ligjin ndërkombëtar, Rezolutën 1244 dhe rezolutat tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Mes tjerash përmendet që serbët në Kosovë, si dhe gjithë qytetarët tjerë që janë besnikë të Serbisë, duhet të mbrojnë manastiret, kisha, pronat private, varrezat dhe objektet tjera të rrezikuara.

Nënshkruesit e Deklaratës i kanë dënuar edhe ato që i kanë konsideruar kushte të patolerueshme të jetesës së serbëve në Kosovë, të krijuara prej autoriteteve të Prishtinës, por pa përmendur ndonjë fakt konkret.

Në një pikë tjetër është përmendur edhe nevoja e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, dhe vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, si mënyra e vetme e qëndrueshme për zgjidhje të problemit.

Propozimi për deklaratën e Kuvendit Panserb shpall gjatë takimit të Aleksandar Vuçiç dhe Liderit të Republikës Srbska Milorad Dodik në Beograd më 8 qershor 2024.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë