Politike

Tensione në mbledhjen e këshillit Bashkiak/ Blushi godet Valterin dhe i hedh letra Veliajt, Meta: PL gjendje lufte me Bashkinë (pamjet)

Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës është përfshirë nga momente tensioni këtë pasdite, pasi këshilltari Tedi Blushi krijoi disa trazira.

Fillimisht, Blushi goditi me fletë kryebashkiakun Erion Veliaj dhe seanca u ndërpre. Pas kësaj situate, sipas të pranishmëve, këshilltari i PL, ka goditur këshilltarin socialist, Halit Valterin. Në mungesë të kamerave, që kreu i Bashkisë urdhëroi të fiken gjatë sherrit, në media janë publikuar dy foto nga brenda mbledhjes. Njëra tregon Blushin duke goditur Valterin dhe tjetra Valterin që ka mbërthyer nga fyti Blushin.

Policia bashkiake raportohet se ka shoqëruar Blushin pas incidentit, ndërsa Valteri ka depozituar një kallëzim në polici.

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar në platformën X dhe këtë veprim e konsideron sjellje vandale duke pëmendur dhe kreun e PL-së Ilir Meta.

“Sot Këshilli Bashkiak kishte për të votuar hapjen e 2 çerdheve të reja, abonetë falas për studentët, miratimin e shkollës Ecole 42 për të rinjtë, zonën e lirë ekonomike TEDA për 5 mijë vende pune të reja dhe grantin e Katarit për sheshin fundor tek Bulevardi i Ri.

Por Ilir Meta dhe rrugaçi i fundit që i ka mbetur, nuk e përballojnë dot as suksesin e Tiranës dhe as humbjen kolosale të partiçkës së tyre.

Sjellja për vandali ndaj kolegëve këshilltarë, është shenjë dëshpërimi, jo forcë. Do të kërkoj zbatimin e ligjit me përpikëri që rrugaçëria të marrë përgjigjen që meriton, dhe Tirana të mos mbetet peng i maktheve të Ilir Metës e mjeranëve të tij”, shkruhet në reagimin e Veliajt.

Pak momente më vonë, edhe Ilir Meta pati një reagim, ku theksoi se PL është në gjendje lufte me kryebashkiakun Veliaj.

“Akti sulmues i Prindit 2 Erion Veliaj dhe zarit të tij Halit Valteri ndaj këshilltarit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, z.Tedi Blushi do të marrë shumë shpejt përgjigjen e merituar demokratike dhe shqiptare.

Nga sot Partia e Lirisë është në gjendje lufte me kryehajdutin e Tiranës Lali fikun dhe ordinerët përqark tij.

Partia e Lirisë është në gjendje lufte me tutorët dhe protektorët e këtij fëlliqësire që vrau Ardit Gjoklajn.

Partia e Lirisë do t’ju mësojë të gjithëve se nuk jemi komb eksperimental por Shqiponjash.

Nuk ka tutor dhe protektor në botë që e ndalon Drejtësinë tonë!”, shkruan Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë