Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden u tërhoq të dielën nga gara presidenciale. Ai e njoftoi vendimin, pas thirrjeve të shumta në partinë e tij demokratë për të dalë nga gara pasi kishin humbur besimin tek aftësia e tij për të fituar ndaj rivalit republikan Donald Trump.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë njoftoi ndërkohë se presidenti do të qëndrojë në detyrë deri në përfundim të mandatit.
Mandati i Presidentit Biden përfundon më 20 janar 2025.
Ai shprehu mbështetjen për nënpresidenten Kamala Harris si kandidate të partisë për postin.
“Vendimi im i parë si kandidat i partisë në vitin 2020 ishte zgjedhja e Kamala Harrisit si nënpresidente. Dhe ka qenë vendimi më i mirë që kam marrë. Sot dua të ofroj mbështetjen dhe përkrahjen time të plotë që Kamala të jetë e emëruara e partisë sonë këtë vit. Demokratë – është koha të bashkohemi dhe të mundim Trump-in. Le ta bëjmë një gjë të tillë”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër një ‘boom’ donacionesh ka patur 24 orët e fundit për demokratët, që kur Kamala Harris, nisi fushatën e saj.
46.7 milionë dollarë janë mbledhur nga donatorë të vegjël.
Kamala Harris po drejton zyrtarisht atë që deri pak orë më parë ishte ende fushata e rizgjedhjes së Joe Biden.
Sipas dokumenteve të depozituara në Komisionin Federal të Zgjedhjeve, fushata ndryshoi emrin e saj nga ‘Biden për President’ në ‘Harris për President’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.