Politike

Përplasje në Kuvend për fondet IPARD dhe raportin e OLAF. Bardhi kërkon mocion me debat, PS kundër. Çuçi: Të presim raportin final

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi kërkoi sot në Kuvend mocion me debat për fondet e IPARD pas raportit të OLAF, por socialistët nuk e pranuan dhe e rrëzuan këtë kërkesë.

Në nisje të seancës plenare, Bardhi tha se Zyra kundër Mashtrimit në BE ka njoftim zyrtar mbi këtë çështje dhe Kuvendi nuk mund të rrëzojë mocionin me debat.

“Ka një njoftim zyrtar të zyrës kundër mashtrimit në BE që deklaron se ka informuar autoritetet përgjegjëse përfshi edhe ato të drejtësisë, mbi raportin përfundimtar të zyrës së OLAF për abuzimet në sektorin e bujqësisë. Çfarë më shumë zyrtare kërkoni ju? Ministrja duhet të ketë marrë raportin zyrtar. Nëse se kanë sjellë, autoritet e BE s’kanë besim te drejtësia shqiptare”, tha Bardhi.

“Kanë shpallur skenë krimi Ministrinë e Bujqësisë dhe nuk ka një përgjigje nëse e kanë marrë apo jo raportin. Raporti është përfundimtar. Mocioni me debat bazohet në njoftim zyrtar të zyrës kundër mashtrimit në BE”, u shpreh Bardhi.

Sipas tij, zyra kundër mashtrimit në BE i ka sugjeruar KE-së që të pezullojë dhënin e fondit të programit të ri IPARD 3 në vlerën 112 milionë euro.

Bardhi theksoi se, opozita i ka shtrirë dorën mazhorancës për të miratuar masat e duhura ligjore në bashkëpunim me Bashkimin Evropian për zhbllokimin e këtij fondi.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, iu përgjigj sot akuzave të opozitës për bllokim të mocionit me debat lidhur me çështjen e fondeve të programit IPARD.

“Në lidhje me mocionin me debat dhe rezolutën e propozuar nga grupi i PD, ne kemi mbajtur qëndrim shumë të qartë në Konferencën e Kryetarëve. Jemi dakord të zhvillojmë debat për një çështje kaq të rëndësishme për një sektor jetik si bujqësia. Por pikërisht në mbrojtje të interesit të fermerëve dhe të përpjekjeve që bën qeveria për zhbllokimin e fondeve, ne kemi thënë që është i parakohshëm ky debat derisa raporti i OLAF është konfidencial. Ka vetëm një paragraf në raportin vjetor të OLAF për 2023, ku përmenden të gjitha shtetet ku ka shkelje të procedurave për fondet e BE. Është vetëm ky paragraf është publik”, tha Çuçi.

“Prandaj ne propozuam që pasi ky proces të realizohet, ne duhet ta bëjmë këtë debat pasi të jetë e sqaruar kjo situatë. Në jemi të hapur për ta bërë këtë debat. Ky është qëndrimi ynë. Na duhet çdo e dhënë për debatin, me qëllimin e mirë në interes të fermerëve. Ato pyetje që shtroi sot kreu i grupit të PD, kemi sot interpelancë me ministren e Bujqësisë”, deklaroi Çuçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë