Politike

40 minuta protestë e qetë para bashkisë së Tiranës, mungoi djegia e gomave, por u rrit kërkesa ndaj SPAK

Nga Gazeta Si- Me çadra për t’u mbrojtur nga temperaturat e larta, qytetarët janë mbledhur ditën e sotme para bashkisë së Tiranës në protestën e radhës për dosjen 5D, pas protestës kombëtare të një jave më parë.

Protesta këtë herë zgjati më pak se zakonisht dhe ishte më e qetë pikërisht për shkak të temperaturave të larta. Ajo qe ra ne sy ishte thirrja e shtuar ndaj SPAK e shumices qe folen per te hetuar Erion Veliajn.

Godina ishte e rrethuar nga forca policore dhe gardhi metalik, ashtu si dhe në protestat e mëparshme por këtë herë nuk kishte as goma të djegura e as molotov. 40 minuta pasi kishte nisur, protesta përfundoi e qetë.

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti në fjalën tij përpara protestuesve është shprehur se nuk do të ketë amnisti për ata që kanë abuzuar me fondet e qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë.

Teliti theksoi se populli ka folur qartë me 11 korrik ku u dynd në shesh për të rikthyer demokracinë dhe lirinë për Shqipërinë.

“Si sot një javë më parë Tirana dhe Shqipëria foli qartë dhe fort që ne jemi në këmbë dhe do të qëndrojmë fortë për lirinë dhe demokracinë. Populli i Shqipërisë dhe i Tiranës amnisti për klientelizmin dhe korrupsionin nuk bën. Nuk do të ketë amnisti për drejtorët e 5D të cilët morën 30 milionë euro nga taksat e qytetarëve. Nuk do të ketë kurrë amnisti për të gjithë ata që taksat e qytetarëve u keqpërdorën dhe nuk u kthyen në mirësi për qytetarët. Nuk do të ketë amnisti për ata që rritin biletën e autobusit me 33% madhe dhe shërbimi i tyre është ë skandaloz se kurrë”, tha Teliti.

Ndërkohë Belind Këlliçi deklaroi se PD i ka dërguar prej dy ditësh pyetje Prokurorisë së Posaçme në lidhje me rastin 5D.

Ai tha se SPAK duhet t’i përgjigjet opozitës dhe PD, ndërsa shtoi se raportimi i kreut të këtij institucioni, Altin Dumani në Kuvend ditën e hënë, ishte dështim.

“Mbrojtje dhe nënshtrim më të shpifur se ç’bëri Dumani të hënën për 4 orë në Kuvend duke mos dhënë asnjë përgjigje për vjedhjet e Ramës e Veliaj nuk keni parë kurrë. Nuk kemi parë kurrë një prokuror që raporton për bilancin e punës së tij dhe në 99 për qind të rasteve tha ‘nuk flas dot se janë nën hetim’.

I kemi dërguar Dumanit këto dy ditë pyetje për bandën 5D.

Dumani duhet ti përgjigjet opozitës dhe PD pse nuk amniston bandën dhe nuk zbaton vendimin e Tiranës. I kemi dërguar 10 pyetje për inceneratorin e Tiranës.

SPAK lëshoi 8 masa ku pati 0 arrestime. Nuk ka qytetar që nuk e di se ata kanë ikur jashtë vendit. Masat u vonuan qëllimisht për t’i dhënë kohë grupit të largohen nga vendi. Nga java tjetër do të fillojmë denoncimet tek godina e SPAK”, tha ai.

Ndërsa aktori Mehdi Malkaj tha se sot po jetojmë në një diktaurë.

“Ju keni bërë një betim (drejtuar policëve) kur keni veshur atë rrobë dhe betimi është me tre fjalë. Do mbrojmë atdheun dhe popullin shqiptar.

Tani, përse e rrihni këtë popullin shqiptar sa herë të doni dhe si të doni dhe mbroni qelbësirat që janë aty brenda. Miq të dashur, nguleni në kokë, jetojmë në diktaturë perverse. Nuk ka emër kryeministër, por ka diktator, mos e harroni kurrë këtë. Jetojmë në diktaturë të ndyrë, qelbësirë. Të vrasin natën dhe të qajnë ditën. Mendojeni ndonjëherë zotërinj policë se keni bërë betim që të mbroni këta, e jo atë halenë publike atje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë