Politike

Prapaskenat për lirinë disaditore të Fredi Belerit, Vangjel Dule: Lëvizje e detyruar e autokratit Rama

Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, njeriu më i afërt politik i euro-deputetit të burgosur Fredi Beleri thotë se nuk është i surprizuar nga leja që iu dha Belerit për të marrë pjesë në hapjen e punimeve të Parlamentit Europian. “Nuk mund të mblidhej Parlamenti Europian me 719 deputetë dhe të mungonte i 720-i për tekat e një autokrati, i cili, në mënyrë krejt të paligjshme, të padrejtë, të paprecedentë, po e mban të burgosur politik kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës dhe eurodeputetin Fredi Beleri” u shpreh zoti Dule në një intervistë për Gazeta ‘Si’. Duke këmbëngulur që Shqipëria të zbatojë ligjet e BE që detyrojnë vendet anëtare të lirojnë menjëherë nga burgu euro-deputetët përsa kohë e ushtrojnë këtë mandat, zoti Dule foli edhe për hapësirat ligjore që ekzistojnë, në mënyrë që Fredi Beleri të lirohet nga burgu sa më shpejt. Por në çdo rast, për kreun e PBDNJ-së, çështja Beleri nuk është një çështje juridike. “Duke përmendur dispozita ligjore që i japin të drejta të ndryshme zotit Beleri, nuk duhet të harrojmë për asnjë moment që zoti Beleri është një i burgosur politik dhe, për rrjedhojë, çdo argument juridik, nuk ka lidhje me rastin” theksoi kreu i PBDNJ-së, duke vënë në dukje se Parlamenti Europian ka bërë përpjekjet e veta për pjesëmarrjen e Fredi Belerit në seancën e konstituimit si përfaqësues i shtetit të Greqisë.

Gazeta Si: E prisnit ju një përgjigje pozitive për lejen e zotit Beleri?

Vangjel Dule: Jam shprehur që kur zoti Beleri u zgjodh anëtar i Parlamentit Europian, se, ditën kur do të konstituohet Parlamenti Europian ose zoti Beleri do të jetë në Strasburg, ose Strasburgu do të jetë tek zoti Beleri. Ky është fakti. Nuk mund të mblidhej Parlamenti Europian me 719 deputetë dhe të mungonte i 720-i për tekat e një autokrati, i cili, në mënyrë krejt të paligjshme, të padrejtë, të paprecedentë, po e mban të burgosur politik kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës dhe euro-deputetin Fredi Beleri.

Gazeta Si: A konsiderohen të njëjta nga pikëpamja ligjore leja e kërkuar për t’u betuar për kryetarin e Bashkisë dhe leja për t’u betuar si eurodeputet?

Vangjel Dule: Sfida e Shqipërisë sot është që realiteti shqiptar t’i korrespondojë asaj që acquis communautaire, pra Aktit Komunitar, që është baza ligjore e BE-së.

Nuk mund të miratojmë çdo ligj dhe të sanksionojmë çdo standard për të na u lëvruar fondet nga BE dhe, kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut, për të drejtat e qytetarëve dhe kështu me radhë, të pretendojmë se ne nuk jemi të detyruar t’i respektojmë ato. Kemi një shembull.

Qytetarja italiane, Ilaria Salis, që u zgjodh eurodeputete, ishte e paraburgosur në Hungari. Të njëjtën ditë që u komunikua rezultati zyrtar dhe ajo u zgjodh deputete, u lirua.

Gazeta Si: Po, por sepse vendet e BE-së e kanë detyrim në ligj, e kanë të shkruar këtë detyrim.

Vangjel Dule: Ata e kanë me ligj, janë vend anëtar i BE-së, ne jemi vend që aderojmë të hyjmë në BE dhe duhet të ishim më të gatshëm se ata për të zbatuar standardet europiane.

Gazeta Si: Në krahasim me lejen e marrë nga burgjet për t’u betuar si eurodeputet, ku ndryshon leja e kërkuar për të bërë betimin si kryetar bashkie në Himarë? Është e rëndësishme kjo për të kuptuar pse është vepruar ndryshe këtë herë.

Vangjel Dule: Leja duhet t’i jepej zotit Beleri që në momentin e zgjedhjes së tij si kryetar i Bashkisë së Himarës, sepse parimi i prezumimit të pafajësisë sanksionon se ai është i pafajshëm dhe nuk mund t’i privohet asnjë liri deri në dënimin e formës së prerë. Zotit Beleri iu privua kjo e drejtë thjesht dhe vetëm se synimi i zotit Rama ishte që ta mbante larg marrjes së mandatit Kryetarin e Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri. Kur kishte për të marrë mandatin e kryetarit të Bashkisë, gjë që cënonte synimin strategjik të zotit Rama për ta mbajtur nën thundrën e vet Bashkinë e Himarës, zotit Beleri nuk iu dha leje, pavarësisht se, në mënyrë të përsëritur, iu drejtua të gjitha instancave gjyqësore dhe administrative.

Gazeta Si: Ka pasur ndonjë ndërhyrje nga jashtë, nga Greqia apo institucione të tjera që zoti Beleri të lejohej të betohej si eurodeputet?

Vangjel Dule: Nuk kam një informacion konkret, por besoj se Parlamenti Europian, sigurisht që do të interesohej për pjesëmarrjen normale të anëtarëve të vet.

Gazeta Si: Është interesuar ndërkohë? Sepse media greke e dinte shumë përpara se të ndodhte ngjarja se zoti Beleri do ta merrte këtë leje.

Vangjel Dule: Besoj se Parlamenti Europian është interesuar drejtpërsëdrejti pranë autoriteteve të Republikës së Shqipërisë. Nuk kam informacion konkret, por duke pasur parasysh standardet me të cilat funksionon Parlamenti Europian, besoj se diçka e tillë ka ndodhur.

Gazeta Si: Si do të vazhdojë ta ushtrojë mandatin nga burgu zoti Beleri, me çfarë forme komunikimi?

Vangjel Dule: Nuk mund ta di praktikisht. Ajo që mund të them politikisht, por edhe shumë ekspertë të jurisprudencës e thonë, është se zoti Beleri duhet të jetë i lirë. Duhet të ishte i lirë. Duhej të ndodhte kjo që në momentin e parë, kur pamë të rrëzohej në instancat gjyqësore ajo farsë e stisur nga Edi Rama, duke instrumentalizuar individë dhe segmente të Policisë së Shtetit apo edhe individë dhe segmente në sistemin e drejtësisë. Zoti Beleri është një i burgosur politik. Ju e ndoqët se akuza ndaj tij u rrëzua në mënyrë të bujshme në të gjitha instancat. Pretendohet se kishte arrestim në flagrancë, në një kohë që nuk ekziston asnjë nga kushtet e flagrancës. U paraburgos me një dëshmi penaliteti të falsifikuar, që tani dihet botërisht. U dënua në bazë të një dëshmitari, i cili ishte paguar nga Policia e Shtetit dhe Policia e Shtetit nuk i dha informacion, siç detyrohet nga ligji, as Gjykatës së Posaçme. Nga ana tjetër, zoti Beleri bëri padi për dëshmi të rreme ndaj dëshmitarit të pretenduar të akuzës, në një kohë që Prokuroria e Posaçme nuk pranoi kurrë ta hetojë këtë akuzë ndaj pseudodëshmitarit. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit ishte ajo që i imponoi Prokurorisë së Posaçme hetimin e akuzës së zotit Beleri, por ky vendim u mbajt i fshehtë ndaj vetë zotit Beleri, ndaj palëve të përfshira dhe ndaj opinionit publik. Ju e shikoni që kjo është një çështje kryekëput politike. Është një çështje e cila, si me kërkesë të kryeministrit Rama dhe, pasi u bë fakt arrestimi i zotit Beleri, të gjithë vraponin për të gjetur argumente që nuk ekzistonin, për ta mbajtur atë në këmbë.

Gazeta Si: Ju thoni që zoti Beleri duhet të jetë i lirë për të ushtruar mandatin e eurodeputetit pa pengesa. Shikoni ndonjë hapësirë që kjo të ndodhë tani?

Vangjel Dule: Çështja është në Gjykatën e Lartë dhe, me ezaurimin e instancave të vendit, do të shkojë detyrimisht në Strasburg.

Gazeta Si: Dërgimi në Strasburg merr kohë. Deri atëherë, ka ndonjë mundësi?

Vangjel Dule: Ka mundësi të marrë kohën e vet normale, që është disi afatmesme, por ka mundësi që të gjykohet edhe me procedura të tjera, që mund ta sjellë rezultatin edhe më shpejt. Megjithatë, zoti Beleri ka plotësuar shumë kushte të tjera për t’u liruar, siç është plotësimi i 2/3-ve të dënimit dhe kështu me radhë. Por, duke përmendur dispozita ligjore që i japin të drejta të ndryshme zotit Beleri, nuk duhet të harrojmë për asnjë moment që zoti Beleri është një i burgosur politik dhe, për rrjedhojë, çdo argument juridik, nuk ka lidhje me rastin.

Gazeta Si: Leja e burgjeve për Belerin është një sinjal se kryeministri do paqe apo lufta vazhdon njësoj me betejën e re për Himarën?

Vangjel Dule: Pengmarrësi, në këtë rast Rama, përmes kësaj pengmarrjeje, kërkon të realizojë objektivat e veta, Asgjë më tepër. Nuk duhet të kemi iluzion. Objektivi i parë dhe themelor i zotit Rama ishte që ta mbante zotin Beleri larg marrjes së mandatit, për të cilin e votoi sovrani. Nga ana tjetër, me lëvizje të tilla, pretendon që t’i largohet përgjegjësisë së drejtpërdrejtë dhe të plotë që ai ka për rastin e Belerit, i burgosur politik, duke kërkuar të dëshmojë një realitet ndryshe në opinionin, tashmë shumë më të gjerë sesa ai që kishte ndjekur deri më tani çështjen Beleri, që është ai i Parlamentit Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë