Nga Gazeta Si- Komisioni i shëndetësisë është përfshirë nga debate me tone të larta sapo anëtarët kanë nisur të bëjnë pyetjet e tyre për Ministren e Shëndetësisë Albana Koçiu, e cila po raportonte për skandalin e Onkologjikut.
Deputetja Albana Vokshi, ndërkohë që po bënte pyetjet për ministren, është përplasur me deputetët socialistë.
“Është ndërhyrë në sistem për të ndërruar datat e një sasie prej 1137 flakonë duke hequr datën e skadencës dhe kjo është skandaloze. Kushdo që e ka urdhëruar këtë dhe unë kam informacione se e ka bëtë këtë ish-drejtoresha e QSUT Albana Fiço dhe ajo duhet të mbajë përgjegjësi”.
Pas kësaj, Vokshi është përplasur me deputetët e maxhorancës të cilët janë shprehur se kjo deklaratë është mashtrim dhe Vokshi po përhap panik.
“A ka sasi të skaduara të tabletave tani që ne flasim në QSUT? A keni ndërhyrë ju në sistem për të hequr datën e skadencës dhe për ti rifutur prapë në sistem?”, tha Vokshi, ku më pas ndërhyri Ilirian Pendavinji i cili tha se deputetja duhet të tregojë se ku e ka marrë këtë informacion.
Më pas kanë ndërhyrë deputetët socialistë duke thënë se Vokshi po mashtron dhe po përhap panik, duke i kërkuar edhe që të mos flasë më.
“Në vend që t’i thuash ministres çfarë po bën më thua mua që mos fol. Hesht, mos u bëni mbrojtës të këtyre skandaleve kriminale dhe më lini të flas”, tha Vokshi.
Ilir Metaj i tha Vokshit që të kërkojë ndjesë për ato që tha.
“Është turp të bëheni mbrojtës të këtij korrupsioni dhe abuzimi skandaloz. Unë them është ndërhyrë në sistem për të hequr datën e skandencës”, tha Vokshi, duke marrë si përgjigje “Mashtrove” nga Metaj.
“Nuk kam mashtruar! Ose nxirre përjashta, ose heqi të drejtën e fjalës. A jeni prindër”, tha Vokshi.
“Lëre etikën, por mos mashtro”, u përgjigj Metaj, duke i paraprirë një debati ku të gjithë filluan të flisnin.
“Morën urdhrin për të bërë zhurmë. Ministrja duhet të kishte dhënë dorëheqjen, s’duhet të ishte këtu”, tha Vokshi pas rrëmujës së krijuar në sallë.
Drejtoresha e Shërbimit Farmaceutik në QSUNT, Mirela Rexhepi ka hedhur poshtë akuzat e deputetes së opozitës, Albana Vokshi duke deklaruar se “nuk ekziston asnjë lloj mundësie që të fshihet apo ndryshohet data e skadencës për barnat pasi çdo veprim kryhet online”.
“Në 18/04/23 ka ardhur një sasi donacioni e cila është e ruajtur në spital dhe nuk ekziston asnjë lloj mundësie që të ndërrohet data e skadencës. Donacioni ka ardhur nga Italia në vijim të një marrëveshjeje që shteti ka me Italinë për medikamente. Pasi vijnë në Shqipëri kolaudohen, pajisen me pullë nga Agjencia e Barnave e cila siguron cilësinë e barnave dhe vetëm pasi kolaudohet hyn në farmaci dhe përdoret për pacientët. Në momentin që kalon datën e skadencës është e pamundur që ilaçi të përdoret dhe t’i ndryshohet data”, tha drejtoresha e Farmacisë së QSUNT-së.
“Ju siguroj se nuk ka ndodhur ndryshimi i datës së skadencës”, ritheksoi Rexhepi duke i cilësuar të pavërteta deklarata e deputetes Vokshi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




