Juventus vijon rrugën e saj drejt titullit kampion e pandalshme, duke shtypur çdo rival që i del përballë. Rekordin e fitoreve “Zonja e Vjetër” e ka vijuar edhe me Inter, këtë të premte që ka startuar javën e 15 të Serie A. Një fitore në shifra minimale 1-0, por që ka shumë vlera për kundërshtarin që mposhtet dhe momentin e kampionatit, kur tashmë mund të thuhet zyrtarisht se torinezët kanë nisur arratisjen në krye të tabelës.

Ajo që e mori e para iniciativën për të gjetur golin ishte Juventus, që me Ronaldon dhe Dibalën do të ishte gjithmonë i rrezikshëm në zbritjet e saj. Tentativave të sulmuesve bardhezinj i është përgjigjur në mënyrën e duhur portieri zikaltër, Samir Handanoviç. Edhe pse Juventus dominonte, rastin më të rrezikshme në 45 minutat e para do e kishte Inter.

Mesfushori zikaltër Galiardini në minutën e 37’ shumë pranë portës së Shezni bën më të vështirën, duke e gjetur shtyllën me gjuajtjen e tij. Me portat e paprekura do të mbyllej pjesa e parë, por me të dyja ekipet që sigurisht kërkonin më shumë.

Në fraksionin e dytë të lojës, i pari që rrezikon është Inter me anë të Politanos, por goli do të vinte në anën tjetër. Është ai që frikëson më pak në letër, kroati Mario Manzukiç që përfiton nga hutimi i mbrojtës zikaltër për të çuar topin në rrjetë. 1-0 dhe Juventus fillon të bëjë atë që di më mirë, të administrojë avantazh, duke përfituar edhe nga gjendja e Inter që nuk ishte i fuqishëm për t’ia ndryshuar fatin kësaj sfide.
Spaleti provon të bëjë diçka, duke hedhur në fushë të gjithë sulmuesit që kishte në bankinë, por pa efekt. Juventus ia del që të mbrohet mirë, madje pati disa raste për ta çuar sfidën në 2-0.

Deri në fund shifrat mbetën të pandryshuara dhe Juventus mori kështu triumfin e radhës që e çon në kuotën e 43 pikëve në vetëm 15 ndeshje të luajtura. Tashmë bardhezinjtë mbetet vetëm të presin viktimën e radhës në kampionat, pasi me formën që gëzojnë duken të pandalshëm. Inter nga ana tjetër nuk ia del në mision për të ndalur kampionët në shtëpinë e tyre dhe mbetet në kuotën e 29 pikëve. Zikaltërit tashmë ndjejnë presionin e “komshinjve” të Milan që mund të afrohen vetëm me një pikë diferencë, nëse fitojnë këtë javë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




