Shendet

I nxehti shkakton viktimën e parë në Shqipëri, një 72-vjeçar nga Memaliaj

Nga Gazeta Si - Vala e të nxehtit që po përjeton vendi ynë ka shkaktuar viktimën e parë. Një i moshuar nga Memaliaj, i identifikuar si shtetasi me inicialet S.M., 72 vjeç, është gjetur i pajetë këtë të martë nga të afërmit e tij në një parcelë bujqësore.

Dyshohet se i moshuari ka ndërruar jetë si pasojë e temperaturave të larta të ajrit.

Sipas verifikimeve të kryera nga grupi hetimor i moshuari nuk kishte shenja dhune në trup, duke hedhur poshtë dyshimet për vrasje dhe konfirmohet se vdekja ka ardhur si pasojë e të nxehtit.

Temperaturat ekstremisht të larta të ditëve të fundit si dhe virozat e stinës kanë ndikuar edhe në rritjen e sëmundshmërisë tek të vegjlit. Në urgjencën pediatrike të QSUT-së ato që mbizotërojnë më shumë janë shqetësimet gastrointenstinale ose sëmundje që shkakton bark dhe të vjella.

Shefi i urgjencës pediatrike Albert Lama tha për median se çdo ditë paraqiten mbi 240 fëmijë, kryesisht gjatë orëve të natës më shumë, ndërsa në fundjava kjo shifër kapërcehet.

Vetë ISHP Prej ditësh ka bërë thirrje që të moshuarit dhe fëmijët të ekspozohen sa më pak ndaj të nxehtit.

“Ekspozimi i zgjatur ndaj të nxehtit ekstrem mund të ngjallë një ndjenjë pafuqie dhe cenueshmërie”.

Në mënyrë që të shmangni efektet shëndetësore negative nga temperaturat e larta është e domosdoshme ndjekja e këshillave të mjekëve:

Evitoni ekspozimin në diell, sidomos në pikun e temperaturave;

Ambienti në të cilin qendroni të jetë i freskët dhe i ajrosur mirë;

Vendosni termometra për matjen e temperaturës së ambientit ku shpenzoni më shumë kohë

Pini sa më shumë lëngje, kryesisht ujë;

Evitoni pijet shumë të ftohta, ato me gaz, me shumë sheqer dhe aditivë të tjerë.

Konsumoni vakte ushqimore të shpeshta, në sasi të vogla, të ftohta dhe me përbërës ushqimorë lehtësisht të tretshëm

Rekomandohen dushe të shpeshta me ujë të vakët;

Shmangni aktivitetet fizike të rënda gjatë orëve më të nxehta;

Kujdesuni për personat më të ndjeshëm ndaj të nxehtit, si fëmijët, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike.

Nëse ndieni shenja të goditjes nga i nxehti (si marramendje, të përziera, djersitje e tepërt, puls të shpejtë), kërkoni ndihmë mjekësore menjëherë!


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë