Skënderbeu rrezikon të futet në krizë rezultatesh në këtë fund viti. Pas humbjes me Teutën një javë më parë, ka ardhur edhe disfata e dytë radhazi, këtë herë me Kukësin. Në stadiumin e Kamzës, ai që ka vendosur sfidën ka qenë një gol i brazilianit Kordeiro në minutën e 55’, që i dha fitoren verilindorëve në shifrat 1-0.
Sfida mes dy ekipeve që në 5 vitet e fundit i kanë dhënë tonin kampionatit shqiptar në fillimin e saj ishte pak e qetë. Të dyja ekipet ishin të kujdesshme në daljet e tyre përpara, duke tentuar të evitonin gabimet në prapavijë që mund të rezultonin fatale. Rexhinaldo dhe Dzaria janë dy lojtarët që rrezikojnë më shumë për Kukësin, por pa pasur sukses. Ndërsa nga ana tjetër çdo prekje e topit nga Dejvi Bregu është një rast për alarm në mbrojtjen kuksiane.

Me pjesën e parë që u mbyll në barazim të bardhë, goli vendimtar do të vinte në minutën e 55’. Është portieri korçar Teqja që me gabimin e tij brenda zonës i jep mundësinë sulmuesit brazilian Kordeiro që të shënonte golin që vendosi takimin. Pas kësaj rrjete të pësuar, Skënderbeu u mundua të reagonte, por pa mundur dot që t’ia ndryshonte fatin kësaj përballje.

Në fund mbyllet gjithçka 1-0 në favor të Kukësit, që merr kështu fitoren e tretë radhazi, që e afron më shumë me kreun, pasi tani është me pikë të barabarta me ekipin korçar. Skënderbeu nga ana tjetër pëson humbjen e dytë radhazi dhe tashmë e shikon shumë larg Partizanin, që nesër do të ketë mundësinë që të shkojnë në 7 pikë avantazh në krye të tabelës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




