Ngjarje

Fluks rastesh me helmim në Bulqizë, dyshime nga virozat ose uji i pijshëm. Prefekti: Zijeni para se ta pini!

Gazeta Si – Në fundjavë dhe gjatë kësaj të hëne, me dhjetëra qytetarë nga Bulqiza dhe zonat përreth janë paraqitur në spital me simptoma helmimi.

Të paktën 90 qytetarë të moshave të ndryshme janë paraqitur me simptoma si diarre, dhimbje barku, të vjella e temperaturë.

Fillimisht kjo u dyshua të ishte një kontaminim i ujit të pijshëm, por për shkak të shpërndarjes gjeografike të rasteve, mjekët e kanë përjashtuar si opsion.

Mjeku pranë urgjencës së spitalit të Bulqizës, Shahin Kaja, thotë se kjo mund të jetë një situatë virusale pasi rastet janë të shpërndara dhe nuk kanë lidhje me përdorimin e të njëjtit rrjet të ujit të pijshëm.

Po ashtu, përjashtohet edhe mundësia e helmimit nga ushqimi në ndonjë rast gëzimi familjar pasi rastet janë të vazhdueshme prej të paktën tri ditësh.

 “Sot me fillimin e ditës së re kanë filluar rastet me heqje barku me të vjella me temperatura, por kjo nuk lidhet me ujin e pijshëm, por me faktorë virale. Kjo, pasi rastet janë sporadike dhe jo të centralizuara me një vend. Nuk kanë lidhje me ujin, përjashtohet kjo mundësi. Shkaku lë të kuptosh që është një shkak viral. Nuk ka pasur raste festive, por janë raste sporadike të veçanta në zona të veçanta. Deri tani jam te rasti i nëntë. Nuk dihet shkaku, por vetëm nga uji jo. Kjo, pasi kemi të bëjmë me ujësjellës të ndryshëm dhe zona të ndryshme”, – u shpreh mjeku. Kaja.

Prefekti i qarkut, Nexhbedin Shehu, u bëri thirrje qytetarëve që të bëjnë kujdes me ujin e pijshëm, ndërsa u rekomandoi që ta ziejnë deri në zbardhjen e analizave.

“Nga e shtuna ka fluks të shtuar të njerëzve që paraqiten me shenja diarreje dhe të vjella. Shenjat janë të lehta siç thonë mjekët, gjithsesi është fluks i shtuar. Këto tre ditë ka mbi 30 raste. Gjithsej janë mbi 90 raste që janë paraqitur për të marrë shërbime. Analiza e ujit dalin të mira, megjithëse ka gjeografi jashtë Bulqizës, gjithsesi është në hetim. Presim rezultatin e analizave. Mendimi i parë na vjen uji. Mjekët e përjashtojnë deri diku. Bulqiza nuk ka një ujësjellës, por disa. Gjej rast t’u bëjë thirrje popullatës të bëjnë kujdes kur të pinë ujë, ta ziejnë ose të përdorin ujë të blerë deri kur të dalin analizat.’- u shpreh Shehu.

Fluksi vijon të jetë i lartë edhe gjatë kësaj të hëne ku deri tani janë paraqitur mbi 10 persona.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë