Nga Gazeta ‘SI’ – Të gjitha baret dhe subjektet që hapen gjatë sezonit veror do të lidhin kontratën e furnizimit me energji elektrike me procedurë të përshpejtuar.
Në një draft të Entit Rregullator të Energjisë, njihet koncepti i lidhjeve të përkohshme që do t’u ofrohet subjekteve si kashtore, kioska, lokalet në plazhe, evente festive, panaire, etj. Në dokument, specifikohet se lidhja e tyre me rrjetin shpërndarës të OSSH do të kryhet në procedurë të rregullt, por të përshpejtuar për të ofruar shërbim të lehtësuar ndaj përdoruesve të rrjetit.
“Duke qenë objekte të përkohshme, këto objekte nuk janë të pajisur me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, të kërkuar për një lidhje të re, gjë që sjell vonesa ose refuzime të lidhjes së re”, – thuhet ndër të tjera në dokument. “Në këtë formë mund t’i jepet një zgjidhje që të njihen si lidhje të përkohshme dhe në momentin e mbarimit të aktivitetit të tyre sezonal/turistik/festiv të bëhet pezullimi apo mbyllja e kontratës së energjisë elektrike”, – shtohet më tej.
Po ashtu, në draft specifikohet se tarifat që do të paguhen për lidhjen e re do të jenë të njëjta me tarifat e miratuara në rregullore referuar fuqive të kërkuara si dhe mbyllja apo pezullimi i këtyre kontratave do të kryhet me të njëjtën procedurë që parashikon kontrata e furnizimit me energji elektrike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.