Elseid Hysaj është emri më i përfolur në merkato këto javët e fundit në Itali. Mbrojtësi shqiptar me shumë mundësi do të largohet gjatë këtij dimri nga Napoli dhe destinacionet që janë përfolur janë të shumta. Duke filluar që nga Juventus, Çelësi apo edhe Bajern Mynih, janë disa nga ekipet e mëdha europiane që janë vënë në gjurmët e mbrojtësit kuqezi. Por mediet franceze në dy ditët e fundit kanë folur edhe për një tjetër skuadër që kërkon Elseid Hysaj. Bëhet fjalë për gjigandët parisien të PSG, që janë duke kërkuar një mbrojtës që mbulon të dyja fashat anësore.

Hysaj luan kryesisht në krahun e djathtë, por në situata të caktuara ai mund të futet edhe në krahun e majtë. Është kjo cilësi e shkodranit që pëlqehet më së shumti nga trajneri gjerman i PSG, Tomas Tukel.
Me mungesën e rinovimit të kontratës, Hysaj me shumë mundësi do të largohet gjatë janarit, pasi në qershor, Napoli nuk do të rrezikonte që ta shiste me një çmim më të ulët. Shifra që kërkon presidenti napolitan, De Laurentis për të lënë të lirë Hysajn është një shifër rreth 45-50 milionë euro. Për një klub si PSG që ka shpenzuar edhe 222 milionë euro për të blerë një futbollist, një shifër e tillë nuk është e pakapshme. Por problemi për francezët qëndron me UEFA-n. Prej disa muajsh PSG është në mesin e klubeve që po hetohet nga qeveria europiane e futbollit për shkelje të rregullave të Fair Play Financiar. Ky hetim mund të kthehet në një pengesë shumë serioze në tratativën për ta çuar Hysajn në Paris.

Por gjithsesi menaxheri i Hysaj, Xhufredi, po punon për t’i tejkaluar këto pengesa dhe të mundësojë largimin e mbrojtësit të kombëtares shqiptar nga Napoli. Gjithsesi këto zëra të ditëve të fundit, nuk e kanë mbyllur përfundimisht mundësinë e kalimit të Hysaj në Londër te Çelësi, aty ku e pret trajneri Mauricio Sarri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




