Ngjarje

Ndryshime në ligjin për Urdhrin e Mjekut / Mjekët e shtetit duhet të marrin leje për të punuar në privat, u hiqet licenca nëse shkelin protokollin

Nga Gazeta Si- Skandali tek onkologjiku, ku mjeku Edmond Gashi drejtonte pacientët nga shteti në klinikën e tij private ka bërë që Ministria e Shëndetësisë të marrë masa për ndërhyrjen në ligjin për “Urdhrin e mjekëve”, i cili rregullon veprimtarinë e profesionistëve të shëndetësisë dhe përcakton parime, standarde e kritere për aktivitetin e bluzave të bardha.  

Ndryshimet e reja parashikojnë që mjekët e punësuar në sektorin publik që kanë hapur apo punojnë në klinika private, si edhe ata që do të duan ta bëjnë këtë më tutje, duhet të marrin një autorizim/leje nga titullari i spitalit ku janë të punësuar. (Ky autorizim duhet të konfirmohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe të publikohet në një regjistër publik digjital). Mosdeklarimi transparent në kërkimin e autorizimit/lejes për punësim në privat do të çojë deri në heqjen e licencës për ushtrimin e profesionit për afate të caktuara.

Ndërhyrje të tjera në ligjin për ‘Urdhrin e mjekëve” përfshijnë:

-Hapja apo puna në një klinikë private për mjekët e sektorit publik do të vazhdojë deri në momentin kur spitali përkatës do të përfundojë procesin e autonomisë dhe me marrjen e autonomisë kjo do të jetë rreptësisht e ndaluar.  ( Ne kemi aktualisht në Fier, Memorialin, spitalin e parë me autonomi. Së shpejti QSUT dhe 12 spitale te tjera do të marrin autonominë e plotë pas plotësimit të kushteve të mbetura).

– Do të ndalohet ligjërisht që një mjek të ndjekë të njëjtët pacientë në klinikën private që ka hapur vetë apo që punon aty. Një mjek i cili ndjek pacientë në klinikat shtetërore është në konflikt të hapur interesi nëse kërkon që po këta pacientë të shkojnë në klinikën private që ai ka hapur vetë apo punon aty.

“Kjo është një praktikë e toleruar përgjatë gjithë këtyre viteve pas ndryshimit të sistemit”, tha ministrja e shëndetësisë Albana Koçiu në takim me drejtuesit e shërbimeve në QSUT.

Masat për ndarjen e mjekut nga pacienti në spitalin publik nga mjeku dhe pacienti në spitalin privat do të merren menjëherë.  

Po menjëherë, mjekët që kanë hapur dhe/ose punojnë në klinika private nuk do të mund të mbajnë asnjë funksion drejtues të asnjë niveli në spitalet publike apo në Universitetin e Mjekësisë.

Një drejtues në këto struktura duhet t’i dedikohet plotësisht administrimit dhe aktivitetit në strukturën ku i është dhënë një përgjegjësi drejtimi.

“Historia e transferimit të pacientëve në klinikën private nga drejtuesit e shërbimeve publike do të mbarojë menjëherë sapo të miratohet ky ndryshim ligjor”, tha Koçiu.

Në ndryshimet e reja do të thjeshtëzohet edhe procedimi disiplinor.

Aktualisht procedimi disiplinor është kompleks, me komisione disiplinore rajonale, qendrore, ankimime administrative dhe më pas ato gjyqësore.  

Tani do të krijohet një komision i vetëm shtetëror disiplinor me 5 anëtarë dhe një komision apelimi. Vendimet e këtij të fundit mund të ankimohen në gjykatën administrative, por ky ankimim nuk do të pezullojë ekzekutimin e vendimit te komisionit të apelimit.

Gjithashtu, masat disiplinore aktuale do të ashpërsohen ligjërisht.  

Dërgimi i pacientëve në klinikën private nga mjeku përgjegjës për ta në shërbimin publik, do të dënohet me gjoba domethënëse për mjekun dhe për klinikën private që vetë mjeku ka hapur apo punon. Ndërsa përsëritja e kësaj shkeljeje do të shkojë deri në ndalimin e aktivitetit për mjekun apo klinikën private për afate të caktuara.

Gjithashtu, shkelja e rregullit që drejtuesit publike nuk mund të kenë klinika private apo të punojnë në to përveç shkarkimit nga funksioni dhe gjobës domethënëse për mjekun, si dhe gjobës gjithashtu për klinikën private, do të mund të çoje deri në ndalimin e aktivitetit për të dyja palët për afate të caktuara.

Shkelja e etikës (betimit të hipokratit) dhe të protokolleve mjekësore, kur nuk ka shkaktuar pasoja do të çojë në ndalimin e kryerjes së disa shërbimeve mjekësore dhe deri në heqjen për afate të caktuara të licencës së ushtrimit të profesionit.

Shkelja e protokollit mjekësor, kur ka shkaktuar pasoja të lehta do të çojë, përveç pasojave nga ndëshkimi i drejtësisë, edhe në heqje të licencës së ushtrimit të profesionit afatgjatë ndërsa shkelja e protokollit mjekësor, kur ka shkaktuar pasoja të rënda do të çojë edhe në ndalimin e aktivitetit të mjekut për gjithë jetën.

Ministrja Koçiu tha se propozime të ngjashme të përshtatura do të bëhen edhe për profesionet e tjera.

Këto ndryshime janë në diskutim, ku do të përfshihen edhe përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore, përpara sesa qeveria të vendosë miratimin e tyre jo me vonë sesa javën e tretë e korrikut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë