Ngjarje

Taksitë e verdha bllokojnë bulevardin, protestë kundër kompanive: Mbajnë çmimet e ulëta, kanë prishur tregun

Nga Gazeta ‘SI’ – Sindikata e taksive në vend kanë bllokuar sheshin “Nënë Tereza” në formë proteste për shtrembërimin e këtij tregu.

Sindikata akuzon bashkinë Tiranë për klientelizëm dhe favorizim të kompanive taksi, të cilët punojnë me kosto tepër të ulëta. Numri i lartë i flotave të kompanive po nxjerr nga tregu taksitë tradicionale apo siç njihen taksitë e verdha.

Shoqata e taksive ka njoftuar se të mërkurën e ardhshme do të bllokojë sërish bulevardin deri sa autoritetet t’i ofrojnë atyre një zgjidhje. Sindikatat kërkojnë që në qarkullim të lejohen vetëm ato të licencuara dhe të respektohet tarifa e taksimetrit. 

“Në këto ndryshime e rritje, krahas mjeteve të tjerë, bie në sy veçanërisht shtimi i madh i automjeteve taksi, ajo që ka spikatur e po spikat në mënyrë të veçantë është mungesa e rregullave e anarkia në qarkullimin të mjeteve, gjë që jo vetëm ka cënuar e dëmtuar shërbimin e taksive, por në mjaft raste ka shkaktuar dhe konflikte të rënda. Shtimi i mjete Taksi ka rënduar shumë në përballimin e kushteve të jetesës të shumë Taksistëve. Konkurrenca e pabarabartë në këtë shërbim, mjetet e palicencuara, kriteret e punësimit, numri i lartë i mjeteve Taksi, çmimi i lartë i karburantit po ulin ndjeshëm të ardhurat e shërbimit, dhe po rëndojnë mbi qytetarët. Shprehim pakënaqësinë në protestën tonë për mosreflektimin e mungesën e përgjegjësisë dhe të dialogut nga Bashkia Tiranë që, para së gjithash është detyrim institucional dhe kushtetues”, shprehen shoqatat e taksive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë