Dy këshilltarë kryesorë të Donald Trump i kanë paraqitur atij një plan për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë – nëse ai fiton zgjedhjet presidenciale. Plani përfshin kërkesën drejtuar Ukrainës se do të marrë më shumë armë amerikane vetëm nëse hyn në bisedime për paqe.
Shtetet e Bashkuara do të paralajmëronin në të njëjtën kohë Moskën se çdo refuzim për të negociuar do të rezultonte në rritjen e mbështetjes së SHBA-së për Ukrainën, tha në një intervistë gjenerali në pension Keith Kellogg, një nga këshilltarët e Trumpit për sigurinë kombëtare.
Sipas planit të hartuar nga Kellogg dhe Fred Fleitz, të cilët të dy shërbyen si shefa shtabi në këshillin e sigurisë kombëtare të Trump gjatë presidencës së tij 2017-2021, do të kishte një armëpushim bazuar në linjat e betejës mbizotëruese gjatë bisedimeve të paqes.
Ata ia kanë paraqitur strategjinë e tyre Trumpit dhe ish-presidenti u përgjigj pozitivisht, tha Fleitz. “Unë nuk po pretendoj se ai ishte dakord me të ose u pajtua me çdo fjalë…,” tha ai.
Megjithatë, zëdhënësi i Trump, Steven Cheung tha se vetëm deklaratat e bëra nga Trump ose anëtarët e autorizuar të fushatës së tij duhet të konsiderohen zyrtare, raportoi Reuters.
Strategjia e përshkruar nga Kellogg dhe Fleitz është plani më i detajuar ende nga bashkëpunëtorët e Trump, i cili ka thënë se ai mund ta zgjidhë shpejt luftën në Ukrainë nëse mund presidentin Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit, megjithëse ai nuk ka diskutuar specifikat.
Propozimi do të shënonte një ndryshim të madh në pozicionin e SHBA-së për luftën dhe do të përballej me kundërshtimin nga aleatët evropianë dhe brenda partisë republikane të Trump.
Kremlini tha se çdo plan paqeje i propozuar nga një administratë e mundshme e ardhshme e Trumpit do të duhej të pasqyronte realitetin në terren, megjithatë presidenti rus Vladimir Putin mbeti i hapur për bisedime.
“Vlera e çdo plani qëndron në marrjen parasysh të gjendjes reale të punëve në terren”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov për Reuters.
“Presidenti Putin ka thënë vazhdimisht se Rusia ka qenë dhe mbetet e hapur për negociata, duke marrë parasysh gjendjen reale në terren”, tha ai. “Ne mbetemi të hapur për negociata”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.