Nga Gazeta ‘SI’ – Eksportet shqiptare kanë rënë me 12.4% deri në maj 2024, duke arkëtuar vetëm 35 mld lekë.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në uljen e eksporteve prej -12,4%, negativisht kanë ndikuar grupet: “Tekstile dhe këpucë” me -7.6 p.p, “Ushqime, pije, duhan” me -2.7 p.p, “Produkte kimike dhe plastike” me -0,7 p.p, etj.
Pozitivisht ka ndikuar grupi: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +0.4 p.p.
Për pesë mujorin eksportet kanë shënuar një tkurrje të fortë. Sipas INSTAT, në këtë pesë-mujor eksportet e mallrave arritën vlerën 165 mld lekë, duke u ulur me -16,1%.
Edhe importet nga ana tjetër kanë shënuar rënie, thotë INSTAT me 1.6%, duke arkëtuar 79 mld lekë në fund të majit 2024. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 45 mld lekë, duke u rritur me 8.9 %, krahasuar me Maj 2023 dhe 9.4 %, në krahasim me Prill 2024.
Partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë vijojnë të jenë Kina, Italia, Greqia dhe Turqia, por rritja më e madhe rezulton me Kinën.
Në periudhën Janar – Maj 2024, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 72 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 52.2 % të importeve gjithsej.
Eksportuesit prej më shumë se një viti paralajmërojnë falimentimin dhe raportojnë mbylljen masive të fabrikave në vend. Zhvlerësimi i euros ka dobësuar ndjeshëm fitimet e tyre dhe për këtë shoqatat e eksportit, fasonëve etj kanë kërkuar ndërhyrjen e qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë për ta ndalur dobësimin e mëtejshëm.
Qeveri hapi skemën e një garancie sovrane 4 mld euroshe në ndihmë të sektorit, ndërsa BSH edhe pse predikonte “kurs i lirë i këmbimit”, pranoi se kishte ndërhyrë në treg duke blerë euro, brenda funksionit të saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.